1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka filluar afrimi i Arabisë Saudite me Iranin?

12 Maj 2021

Kontaktet direkte midis rivalëve të fuqishëm mund të çtensionojnë gjendjen në Gjirin Persik. Për këtë kontribuon aktualisht edhe riorientimi i politikës së SHBA-së.

Bildkombo | Mohammed bin Salman und Hassan Rohani

Pasi heshti një kohë të gjatë, Irani ka konfirmuar për herë të parë njoftimet e mediave për zhvillimin e bisedimeve direkte me rivalin rajonal, Arabinë Saudite. „Ulja e tensioneve midis dy vendeve myslimane të Gjirit Persik është në interes të të dy kombeve dhe në interes të rajonit," tha të hënën (10.05) në një konferencë shtypi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Said Chatibsadeh. Është folur si për temat bilaterale ashtu edhe për temat rajonale, por është ende herët për të njoftuar për rezultatet, tha ai më tej.

Qeveria e Teheranit, e cila është duke zhvilluar aktualisht bisedime edhe në Vjenë për të ardhmen e marrëveshjes atomike, do të qëndrojë në pushtet edhe disa javë. Në muajin qershor në Iran zhvillohen zgjedhjet presidenciale.

"Hapa të kujdesshëm për uljen e tensioneve"

Lidhur me arsyet e këtij afrimi, eksperti për Iranin Adnan Tabatabai nga shoqata e konsultimeve dhe studimeve për Orientin, Carpo, me qendër në Bon, thotë: „Pas shkallëzimeve të mëdha të gjendjes së sigurisë në Gjirin Persik në vitin 2019, dhe pasojave të  mëdha të pandemisë së Covid -19 në vitin 2020, duket se si Teherani ashtu edhe Riadi e kanë kuptuar se duhet të ulin tensionet. Por procesi është shumë delikat dhe duhet përkrahur politikisht, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit të shohin përfitim dhe të mos humbasin fytyrën në politikën e brendshme dhe atë të jashtme."

Tabatabai mendon, se qeveria e Rohanit shpreson që në dialogun me Riadin të arrijë të marrë përkrahje për të arritur një marrëveshjeje të re atomike dhe t'u japë fund të sanksioneve ekonomike që SHBA ka vendosur kundër Iranit. E ardhmja e marrëveshjes nuk është e qartë, pasi SHBA e kryesuar nga Donald Trump doli në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja dhe pas kësaj Teherani ka bërë shkelje të njëpashnjëshme të saj.

Presidenti irakian, Barham Salih Fotografi: Murtadha Al-Sudani/AA/picture alliance

Javën e kaluar presidenti irakian Barham Salih konfirmoi, se përfaqësues nga të dy vendet kanë zhvilluar bisedime direkte. Ato janë zhvilluar „më shumë se një herë" në Irak. Kontaktet personale të kryeministrit Kadhimi dhe koordinimi i mirë me pararendësin e tij, Adel Abdul-Mahdi kanë ndihmuar që bisedimet direkte Iran- Arabi Saudite të zhvillohen në Bagdad, mendon Tabatabai. 

Fazë e tensioneve në rritje

Iranidhe Arabia Saudite ndodhen në konkurrencë për të kryesuar botën islamike në përgjithësi dhe në rajon në veçanti dhe të dy palët janë palë kundërshtare në shumë konflikte. Ata konkurrojnë për ndikim edhe në Irak. Aty pakica sunite (37 përqind) përballet me shumicën shiite (60 përqind). Irani e konsideron veten si mbrojtës të shiitëve, Arabia Saudite si mbrojtëse të sunitëve.

Irani dhe Riadi nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga viti 2016. Të zemëruar nga ekzekutimi në Arabinë Saudite i fetarit shiit, Nimr Baker al-Nimr, demonstrues konservatorë sulmuan ambasadën saudite në Teheran dhe i vunë zjarrin pjesëve të ndryshme të ndërtesës. Kjo u pasua nga ndërprerja e marrëdhënieve bilaterale.

Irani dhe Arabia Saudite ndodhen në konkurrencë për të kryesuar botën islamike në përgjithësi dhe në rajon në veçanti

Si përgjigje ndaj „politikës së ushtrimit të presionit maksimal" të SHBA dhe sanksioneve të ashpërsuara, Irani kërcënoi me ndalimin e eksportit të naftës nga Gjiri Persik. Në shtator 2019, dy impiante të kompanisë saudite të naftës, Saudi Amraco, u dëmtuan rëndë nëpërmjet sulmeve me drone dhe raketave. Si pasojë nxjerrja e naftës saudite u përgjysmua. Sulmet u morën përsipër nga rebelët houti të Jemenit, që përkrahen nga Irani. Qeveria amerikane konsideroi Teheranin si nxitës të sulmit dhe presidenti Trump deklaroi gatishmërinë për marrjen e masave ndëshkuese kundër Iranit. SHBA shtoi trupat në rajon. Tensionet në Lindjen e Mesme vazhduan të përshkallëzohen, deri në vrasjen e gjeneralit iranian, Kassem Soleimani me një raketë amerikane në Bagdad, në fillim të vitit 2020.

Arabia Saudite zbulon diplomacinë

Me ardhjen në pushtet të Joe Bidenit pati ndryshime të politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Bideni kritikoi qartë luftën e Arabisë Saudite në Jemen dhe për këtë i refuzoi Riadit përkrahjen amerikane. Ai filloi njëkohësisht bisedimet me Iranin për ringjalljen e marrëveshjes atomike të 2015. Në këto rrethana ndryshimesh ndërkombëtare, princi saudit trashëgimtar i fronit, Mohammed bin Salman deklaroi në fund të muajit prill se synon krijimin e marrëdhënieve të mira me Teheranin dhe se dëshiron të ketë një vend fqinj të pasur. Ai tha në televizionin saudit se mbështet diplomacinë rajonale.

Ekspertja për Lindjen e Mesme në Chatham Hause të Britanisë, Sanam Vakil, sheh ndërkohë që edhe në konfliktin e Jemenit ekziston mundësia e afrimeve midis Riadit dhe Teheranit. Ajo tha për Deutsche Welle-n, se: "Riadi po mundohet të marrë përkrahjen e Iranit, në mos edhe ndihmën, për t'i dhënë fund luftës së Jemenit. Por kjo do të kërkonte që Teherani të sjellë në tryezën e bisedimeve houtit, nëse do ishte në gjendje ta bënte këtë."