1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka nisur diskutimi për Kosovën në KS të OKB-së në Nju Jork

3 Prill 2007

Në këtë mbledhje nuk pritet miratimi i ndonjë rezolute për Kosovën

Salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork
Salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju JorkFotografi: AP

Ka nisur me dyer të mbyllura në selinë e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork diskutimi për propozimin e ndërmjetësit të OKB-së Marti Ahtisaari. Ky propozim parashikon shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe dhënien asaj të statusit të një pavarësie të mbikqyrur. Ish-presidenti i Finlandës, Ahtisaari, sipas informacioneve ka shpjeguar detajet e rekomandimeve të tij, të cilat erdhën pas dështimit të negociatave 14 mujore midis shqiptarëve dhe serbëve. Dëgjimi në KS të OKB-së i argumentave pro dhe kundër dhënies Kosovës një pavarësi të mbikqyrur shënon edhe nisjen e një faze kritike të diskutimit të statusit të Kosovës. Ndryshe nga qëndrimi i SHBA dhe i BE, të cilët janë shprehur pro dhënies së pavarësisë së mbikqyrur Kosovës, Rusia dhe Serbia e kanë kundërshtuar ashpër këtë plan. Rusia nuk është shprehur ende qartë, nëse do ta bllokojë votimin e mëvonshëm në KS të OKB-së për rekomandimet e Ahtisaarit, duke dërguar sinjale se edhe mund të abstenojë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ra dakord që ta lejojë kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica që ta marrë fjalën jozyrtarisht më vonë për Kosovën. Kjo u bë pas një takimi me dyer të mbyllura, në të cilin për këtë nguli këmbë Rusia. Ambasadori rus në OKB, Vitali Curkin u deklaroi reporterëve pas disa orëve diskutimi për procedurat e debatit se ishte "mjaft i kënaqur" me vendimin për ta lënë Koshtunicën të merrte fjalën.

Pjesëmarrja e Koshtunicës në debatin e KS të OKB-së ishte e hapur deri në fund, pasi ai ia kishte shprehur papritur dëshirën sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, për të qenë i pranishëm në mbledhjen e KS të OKB-së. Ban Ki Moon-i e mbështet shprehimisht planin e Marti Ahtisaarit për t'i dhënë pavarësi Kosovës, kurse kryeministri i Serbisë e kundërshton atë me ashpërsi.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura para fillimit të debatit në KS të OKB-së u vendos - po me këmbënguljen ruse- që për Kosovën të flasë kryeadministratori i OKB-së, Joahim Ryker dhe jo presidenti i Kosovës i pranishëm në Nju Jork, Fatmir Sejdiu. Ambasadori rus Curkin kundërshtoi vendosjen e përfaqësuesit të një shteti krahas një përfaqësuesi të një province, siç u shpreh ai.

Koshtunica dhe zyrtarë të tjerë serbë, ashtu si edhe udhëheqës nga Kosova dhe Shqipëria ndodhen në selinë e OKB-së në Nju Jork. Fakti që politikanët nga Shqipëria dhe politikanët nga Kosova u lejuan të ndjekin mbledhjet e OKB-së, pasi morën viza amerikane, e zemëroi ambasadorin rus Curkin. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, Curkini tha se Rusia kishte kërkuar edhe që separatistët abkazianë- të cilët kërkojnë autonomi nga fqinji jugor i Rusisë, Gjeorgjia- të lejohet të hyjnë në SHBA, për të shpjeguar pozicionin e tyre para OKB-së, por sipas Curkinit, SHBA nuk u kishin dhënë viza.

"Eshtë një gjë që të predikosh lirinë e fjalës dhe të informimit, dhe një gjë tjetër ta aplikosh atë te vetja", u tha Curkini reporterëve. Sipas tij, KS ka nevojë për informacione nga të gjitha palët e konfliktit, për të arritur në një përfundim solid. Curkini tha se nëse shqiptarët e Kosovës, të cilët dëshironin pavarësi, u lejuan të hyjnë në OKB, atëherë abkazianët duhet të marrin të njëjtin trajtim.

Këshilli i Sigurimit, i cili duhet të aprovojë statusin e ardhshëm të Kosovës nuk pritet të marrë ndonjë vendim, apo të aprovojë ndonjë rezolutë në mbledhjen e tij me dyer të mbyllura për Kosovën. "Unë mendoj se është ende herët për të folur për rezolutën", u tha ambasadori rus Curkin reporterëve.

Auron DODI