Kalendari i veprimtarive kulturore të dhjetorit
1 Dhjetor 2010
Në 6 dhjetor vjen shën Nikolla...
A po vjen plaku i krishtlindjeve? Pasi të dy pleqtë i ngjajnë kaq shumë njëri-tjetrit, sa mund t'i ngatërrosh. Të dy me mjekër të bardhë, me bark, me mantel të kuq dhe mbi shpatulla një thes me dhurata. Kush është pra shën Nikolla? Historia është pak e komplikuar këtu. Figura e shën Nikollës lidhet me kryepeshkopin e Mirës në Licia, një njeri i njohur për dashurinë e tij dhe përkushtimin për tjetrin. Në rrjedhën e shekujve kjo figurë është e lidhur me shumë legjenda. Shën Nikolla konsiderohej si mbrojtësi i fëmijëve. 6 dhjetori është dita e emrit të shën Nikollës. Sipas traditës në Gjermani fëmijët këtë darkë vendosin këpucët e pastruara para derës dhe në mëngjesin e 6 dhjetorit ato janë të mbushura me çokollata e bonbone - por po qe se ata kanë qenë fëmijë të mirë. Ndërsa plaku i krishtlindjeve përkundër kësaj e ka ditën e aktivitetit të tij në 24 dhjetor, paralelisht me lindjen e Jezu Krishtit. Data e fundit është një shpikje e reformatorit Martin Luther, që ishte kundër nderimit të shenjtorëve, pra edhe kundër shën Nikollës. Por për shumë vetë lindja e Jezu Krishtit ishte shumë e rëndësishme, kështu në shekullin e 19-të u krijua edhe figura e plakut të krishtlindjeve, si një lloj shën Nikolle pak i ndryshuar, që vjen me dhurata në natën e krishtlindjeve.
Emra të mëdhenj në ekranin e kinemave
Në faqet e shtypit bulevardesk u spekulua gjatë, por tanimë ai është gati. Është fjala për filmin e fundit të regjizorit të njohur, Florian von Donnersmarck. Në vitin 2007 ai fitoi me filmin e tij debutues "Jeta e të tjerëve" çmimin Oscar si filmi më i mirë i huaj. Po kaq të larta janë pritshmëritë edhe për filmin e tij të ri "Turisti." Ky film shfaqet në kinematë gjermane nga data 16 dhjetor. Por nuk është vetëm emri i regjizorit, ai që i tërheq njerëzit në kinematë gjermane. Në film luajnë dy yje hollivudi, Angelina Jolie dhe Jonny Depp. "Turisti" është një "thriller", që e vendos ngjarjen në Venecia, ku tregon për një amerikan me emrin Frank (Johny Depp), i cili bie pre e killer-ave rusë për shkak të rënies në dashuri me të bukurën dhe misteriozen Angelina Jolie. Por një javë më vonë në kinema del filmi i një regjizori tjetër gjerman, po aq të njohur, Tom Tykwer. Një komedi tragjike, që bën fjalë për një çift borgjezësh. Të dy bien në dashuri me të njëjtin person. Një histori trekëndëshi. Si premierë filmi u shfaq në Festivalin e filmit në Venecia. Aty ai mori pjesë në konkurim, por nuk arriti të merrte luanin e Venecias.
Studimi i ri për nivelin arsimor PISA
Sa në nivel është sistemi arsimor gjerman? Kur në vitin 2001 u botua "Studimi PISA" për herë të parë nga Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD), në të cilin krahasoheshin rezultatet mësimore të nxënësve nga vende të ndryshme, Gjermania duhej të përtypej. Rezultati ishte negativ, shqetësimi asokohe shumë i madh, mediat përsërisnin nocionin "shoku i PISA-s". Studimi i OCED-s del çdo tre vjet, më i riu pritet të dalë në 7 dhjetor. Në qendër të studimit kësaj here është "Leximi". Megjithatë është e diskutueshme se sa realist është vlerësimi i studimit PISA dhe sa tregues për cilësinë e një sistemi arsimor në një vend. Pasi rezultatet, që sjell një nxënës, varen nga shumë faktorë. Dallimet në rezultate nuk mund të sqarohen vetëm përmes sistemit shkollor, argumentojnë kritikët. Jo pa arsye shumë i kanë kthyer sytë nga Finlanda, që ka pasur rregullisht rezultate të shkëlqyera në këtë studim. Pra varet nga sistemi shkollor rezultati? Në Gjermani diskutohet prej kohësh, nëse kategorizimi i fëmijëve pas klasës së katërt në shkolla të nivelit bazë, shkolla profesionale dhe gjimnaze, është vërtet i vlefshëm. Sido që të jetë, studimi PISA gjithmonë bëhet shkak diksutimesh.
Napoleoni dhe francezët
Mënyra se si e trajton historinë tënde, nuk është gjithmonë e lehtë - kush e di këtë më mirë se sa gjermanët. Në rastin e Francës kjo duket se vlen për Napoleonin. Shumë francezë nuk janë edhe aq krenarë për qëndrimet e pushtetshme të sundimtarit të tyre më të njohur. Kështu është më e vështirë të organizosh në Francë një ekspozitë për Napoleonin, thotë një zëdhënës i Muzeut Gjerman të Artit në Bonn. Muzeu u tregua i gatshëm të trajtonte këtë temë. Në 17 dhjetor ai prezanton ekspozitën "Napoleoni dhe Evropa. Ëndërr dhe traumatizim." Në këtë ekspozitë i kushtohet vëmendje figurës së Napoleonit, kush ishte ai, si ia doli mbanë të arrinte përmasat e një figure politike me mjaft influencë dhe me këtë të ndikonte në vazhdimësi në historinë evropiane. Të ekspozuara janë dokumenta origjinalë, shumë piktura, dhe objekte të jetës së përditshme. Kuratore e ekspozitës është studiuesja franceze, Benedicte Savoy, që ka dhënë mësim në Universitetin e Berlinit. Por më vonë ekspozita do të shtegtojë edhe në Francë, nga marsi deri në qershor të vitit 2012 në muzeun e ushtrisë. Pra përmes një kthese në Gjermani Napoleoni prapë shkon tek francezët.
Autor: Petra Lambeck/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Angjelina Verbica