1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kalendari kulturor i Deutsche Welles për muajin nëntor

7 Nëntor 2010

Lagështi, ftohtësi, errësirë- këto janë karakteristikat me të cilat lidhet muaji nëntor në Gjermani. Muaj udhëtimesh? Jo dhe aq. Në fushën kulturore ofrohen shumë gjëra. Redaksia e Kulturës ka bërë një përzgjedhje.

BdT Kunst Ausstellung Hoelzel
Fotografi: AP

Çmimi ndërkombëtar i gradaçelave 2010

Lartësia është simbol statusi- kjo dihet. Shefat e firmave i kanë zyrat zakonisht në katet e fundit, në qytete pallatet më të larta i kanë shpesh firmat më me influencë. Përveç kësaj ekziston prej vitesh një luftë konkuruese për ndërtesën më të lartë të botës. Aktualisht vendin e parë e zë me krenari Dubai, ku këtë vit u hap nga Burj Khalifa, Tower-i i lartë 828 metra. Por ndërtesa nuk duhet të jetë vetëm e lartë, për të fituar Çmimin ndërkombëtar që jep Muzeu i Arkitekturës në Frankfurt. Fituesi merr 50 mijë euro nga një Bankë që dhuron paratë. Vlerësimi ka të bëjë me teknikën e ndërtimit, estetikën e ndërtesës, lidhja me urbanistikën si dhe ekonominë. Fituesi bëhet i njohur më 5 nëntor. Mes finalistëve bëjnë pjesë Aqua Tower in Chicago (SHBA) dhe World Financial Center në Shangai (Kinë), por edhe Tower-i që përmendëm nga Dubai. Një ndërtesë në të cilën ka vend për një qytet të tërë. Aty ndodhet një hotel, banesa të ndryshme dhe rezidenca luksoze, zyra dhe një observatory i hapur, sigurisht më i larti në botë.

Tower- Dubai, Aqua Tower in Chicago, World Financial Center në ShangaiFotografi: Steve Hall © Hedrich Blessing / dpa / AP

9 nëntori –Dita që ka vendosur për fatin e gjermanëve

Nëntë nëntori është një datë e veçantë në Gjermani. Nuk ekziston asnjë ditë tjetër me të cilën të mos lidhen ka shumë kujtime, të bukura dhe të shëmtuara. Një arsye për gëzim ka qenë rrëzimi i Murit të Berlinit në vitin 1989. Në pikën kufitare të kalimit në Rrugën Bornholmer Straße, do të hapet këtë vit „Sheshi i 9 nëntorit 1989“- si kujtim i ngjarjes së madhe të ndodhur para më shumë se 20 vitesh.

Po të kthehesh disa vite më parë, takohesh me një ngjarje të tmerrshme, me natën e progromit. Natën e nëntë duke gdhirë dhjetë nëntori në vitin 1938 nacionalsocialistët e Adolf Hitlerit i vunë flakën institucioneve hebraike në gjithë Rajhun Gjerman. Sinagogat u dogjën, qytetarët hebrej u vranë ose u dërguan në kampet e përqëndrimit. Një kapitull i errët i historisë gjermane, i cili kujtohet jo vetëm nga komunitetet hebraike me aktivitete të ndryshme, me vizita në sinagoga ose me një marrshim nëpër qytete.

„Die Fantastischen Vier“ në turne në Gjermani

Ata sollën Hip Hop-in në Gjermani, dhe për këtë duhen prej fansave edhe sot: Grupi "Die Fantastischen Vier" – „Katra fantastike“ është i njohur edhe si "Fanta4". Këngët e tyre janë rregullisht pjesë e Charts. Këngët "Die da?!" dhe "MfG- Mit freundlichen Grüßen" dëgjohen vazhdimisht nëpër party. Para se të shfaqej ky grup Hip Hop ekzistonte vetëm në anglisht, por shokët e shkollës Smudo, Michi Beck, And Ypsilon dhe Thomas D, donin të bënin rap gjerman, me tekste pa kuptim, por edhe me tema serioze. Pas një pushimi kreativ, grupi fillon më 9 nëntor turin në Gjermani, Austri dhe Zvicër gjatë të cilit do të japë 16 koncerte. Fansat janë në pritje jo vetëm për këngër e albumit të ri "Für Dich Immer Noch Fanta Sie", por edhe për një koncept të ri skenik. Ata do të luajnë në një skenë të rrumbullakët, që do të ngrihet në mes të arenës koncertive.

Tregu i Krishtlindjeve, NyrenbergFotografi: 2009 Ralf Schedlbauer/Stadt Nürnberg

Alaaf dhe Helau! - Karnavalet fillojnë

Pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër – janë sezonet në Gjermani, gjithsej katër. Por në disa rajone, ka pesë sezone, si në Landin e Renanisë Veriore. Në këtë land në orën 11:11 të datës 11.11 fillon e ashtuquajtura "sezoni i pestë"- karnevalet. Pse numri 11 luan kaq rol të rëndësishëm në karnevale, nuk dihet me saktësi. Kjo nuk ka rëndësi sepse shumica e "Jecken"( siç quhen njerëzit që festojnë karnevalet) nuk shtrojnë pyetje të tilla.

Ata duan vetëm që të festojnë, pijnë dhe gëzojnë. Pas fillimit të sezonit më 11 nëntor, karnevalet zhduken dhe në vitrinat e dyqaneve shfaqen dekoracionet e Krishtlindjeve. Por menjëherë me ardhjen e Vitit të Ri, dekoracionet ndërrohen, engjëjt dhe plaku i Vitit të Ri këmbehet me kllounët. Në shoqatat e karnevaleve përgatitjet bëhen gjatë gjithë vitit, dhe disa fansa dëgjojnë muzikë karnevalesh edhe në verë.

Kujtim për një muzikant të madh

Në mes të muajit nëntor Berlini bëhet më i civilizuar. Muzikantë nga e gjithë bota, mblidhen në Berlin në një konkurs për të fituar "Grand Prix Emanuel Feuermann". Emanuel Feuermann ka qenë një nga çelistët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Ai u bë profesor në një Shkollë të Lartë të Muzikës në vitin 1929, por në vitin 1933 u shkarkua si "hebre i padëshirueshëm". Ai vdiq në vitin 1942 në New York. Konkursi, që u inicua në vitin 2002 nga Universiteti i Arteve, zhvillohet një herë në katër vjet në Berlin në kujtim të tij. Herën e parë të zhvillimit të konkursit, e ftuar ishte edhe motra e vogël e Emanuel Feuermann-it, një zonjë rreth të nëntëdhjetave, e cila nuk kishte ardhur më në Gjermani që kur ishte larguar prej nacionalsocializmit. Pjesëmarrësit e konkursit vijnë edhe këtë vit nga vende të ndryshme të botës, ndër të tjera nga Kina, Rusia, Kanadaja dhe Koreja, por edhe nga Franca, Anglia, Gjermania dhe Republika Çeke. Fituesit marrin një shpërblim prej 15 mijë eurosh, por edhe prodhimin e një CD-je dhe ndërmjetësim për të dhënë koncerte dhe shfaqje.

Karnavalet fillojnë

Ruhr 2010: Pleraxhinjtë nga Stambolli në skenë

Rimini-Protokoll: Ata janë tre të rinj nga Berlini që organizojnë shfaqje teatrale, jo me aktorë por me njerëz që i takojnë në rrugë. Si përshembull katër pleraxhinj nga Stambolli. Regjizosi Daniel Wetzel i takoi ata një vit më parë, kur ndodhej në kërkim të temave në kryeqytetin turk. Ai i pa ata kudo, burra kurdë dhe roma nga fshatrat e Anadollit, që me fillimin e mbrëmjes fillojnë të kërkojnë për sende të vlefshme, prej metali, plastike ose teneqeje. Ai foli me ta dhe i angazhoi në teatër. Rezultati: Teatri me titullin "Zoti Dagacar dhe tektonika e artë e plehrave". Një pjesë teatrale, e cila do të shfaqet për herë të parë në Gjermani më 26 nëntor në kuadër të programit të kryeqyteteve kulturore evropiane, për vitin 2010. Premiera u dha më 15 tetor në Stamboll. Katër burrat që shihen në skenë, sepse zëri i tyre nuk dëgjohet, tregojnë plot temperament për jetën e tyre, fshatrat ku jetojnë, familjet dhe strategjitë e mbijetesës. E gjitha në gjuhën turke dh ekurde. Për ata që nuk i kuptojnë këto gjuhë, në skenë jepen titrat elektronike. Një format i pazakontë, me të cilin ata që bëjnë teatrin kanë kudo sukses.

Hapja e tregut të Krishtlindjeve

Në fund të muajit vijnë krishtlindjet në Gjemani. Biskotat dhe çokollatat ndodhen gjithë kohës në dyqane, por në shumë qytete gjermane hapen edhe tregjet e Vitit të Ri. Një nga më të njohurat është tregu Krishtlindjeve në Nyrenberg. Vizitorët përshëndesin atje më 26 nëntor Krishtin- fëmijë: një vajzë me fustan të bardhë dhe zbukurime ari, me kaçurrela të verdha dhe kurorë të artë mbi kokë. Fëmija shpërndan ëmbëlsira, merr letrat ku shprehen dëshirat dhe lexon histori për fëmijë – një traditë që ekziston që prej vitit 1930. Rreth 2 milionë vizitorë shkojnë në tregun e Krishtlindjeve të Nyrenbergut, shumë prej tyre nga vendet e tjera.

Autore: Petra Lambeck / Anggatira Golmer

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë

Zbulo më shumë

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW