Kamp paqeje në afërsi të Srebrenicës
3 Gusht 2011
Kampi gjendet 30 kilometra larg nga Srebrenica, buzë liqenit Peruqac, dhe për qëllim ka mbledhjen e të rinjëve nga mbarë bota. Ata duhet të promovojnë kultura të ndryshme dhe bashkëjetesën mes grupeve të ndryshme etnike. Në brigjet prej nga buron edhe lumi Drina, një prej më të mëdhenjve dhe më të bukurve në Evropë, këto ditë janë ngritur tende, me mbishkrimin e UNHCR-së, por këtu nuk janë vendosur refugjatë. Atje janë të rinjë me mesazhe paqësore nga mbarë bota.
Bashkëpunim dhe afrim
Kampi ndërkombëtar i Srebrenicës ka për synim të bëhet simbol paqeje, respektimi mes njerëzve të grupeve të ndryshme etnike, thotë kryetari i Shoqatës "për Srebrenicën", Hakija Meholiq.
„Ideja jonë është që të rinjtë në Srebrenicë të kenë një ardhmëri dhe një shans për jetë, e të mos ikin në vende të tjera", thotë ai.
Kristina, Domeniko, Marko dhe Andrea janë anëtar të një organizate italiane. Ata thonë se janë të interesuar të njoftohen me atë se çfarë ka ndodhur në afërsi të tyre, në vendet e Ballkanit dhe në ish-Jugosllavi. Këto vende janë afër Italisë, ndërkohë që ata nuk dinë gati asgjë për ato që kanë ndodhur atje.
Kampi i paqës në Srebrenicë do të zgjasë deri në mes të gushtit. Ai është organizuar me mbështetjen e autoriteteve të bashkisë, organizatave joqeveritare dhe Qeverisë së Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Minsitri për Çështjet e Luftëtarëve në Bosnjë e Hercegovinë Zukan Helez ka dërguar një mesazh paqe.
„Dëshiroj që nga ky vend tu dërgoj mesazhim e paqës fqinjëve tanë të dashur në Serbi, Kroaci, Maqedoni, Slloveni, Vojvodinë, Kosovë dhe Mal të Zi, të gjithë atyre që dikur kanë jetuar së bashku në shtetin tonë të bukur Jugosllavi. Neve nuk jemi fajtor për shkatërrimin e saj, por kjo tani ka ndodhur", thotë ai.
Fillim i bashkëpunimit paqësor mes gjenerateve të reja
Mysafiri nga Maqedonia Branko Janevski sheh në këtë kamp edhe shumë mundësi për bashkëpunim dhe afrim me të tjerët.
"Ky është një fillim i mrekullueshëm i bashkëpunimit paqësor mes gjeneratave të reja si dhe për bashkëpunim mes shteteve në fushën ekonomike, kulturore, turistike etj. Këto gjëra do t'ua shpjegoj edhe njerëzve në Maqedoni“, thotë Janevski.
Ndërsa Rade është me origjinë nga Bajina Bashta në Serbi. Ai e di fare mirë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, para 16 vitesh.
„Unë kam ardhur nga Serbia, ndërsa të tjerët nga Belgjika dhe vendet tjera... Zhvillimeve në Srebrenicë duhet t'u kushtojmë edhe më shumë vëmendje. Mjaft më me këto zhvillime të errëta. Shpresoj se nuk do të përsëriten më kurrë. Do të ishte mirë sikur të mos kishin ndodhur as në Srebrenicë", pohon Rade.
Nga ky kamp largohemi me ndjenjën se këta të rinj janë të bindur se duhet kundërshtuar të gjitha dukuritë e ngjashme me ato të viteve 90-të që kanë shkaktuar tragjedi të mëdha në territoret e ish-Jugosllavisë.
Autor: Marinko Sekuliq Kokeza / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti