Kancelari Scholz telefonon me presidentin Putin
15 Nëntor 2024Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike për rreth një orë, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit në Berlin.
Ai tha se Scholz-i i ka kërkuar Putinit të hyjë në negociata për një paqe "të drejtë dhe të qëndrueshme" me Ukrainën.
Zëdhënësi tha gjithashtu se Scholz-i kishte folur më parë me presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski dhe se kancelari kishte rithënë se Gjermania do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Çfarë i tha kancelari Scholz Putinit?
Burime të brendshme nga qeveria e kancelarit Scholz u ofruan mediave të ndryshme, përfshirë DW, një përmbledhje të bisedës telefonike nga mësohen më shumë detaje.
Sipas tyre Scholz-i kishte dënuar luftën e agresionit kundër Ukrainës, "e cila prej më shumë se 1000 ditësh ka sjell vdekje, vuajtje dhe shkatërrim në Ukrainë". "Kancelari dënoi veçanërisht sulmet ajrore ruse kundër infrastrukturës civile në Ukrainë," thanë burimet.
Scholz-i thuhet se ka kritikuar gjithashtu përfshirjen e përfolur të trupave të Koresë së Veriutnë konflikt si një "përshkallëzim serioz".
Kancelari gjerman i bëri thirrje Putinit që të tërheqë trupat ruse nga Ukraina dhe "kërkoi nga Rusia gatishmëri për negociata serioze me Ukrainën pët të arritur një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".
Sipas burimeve të brendshme kancelari Scholz dhe presidenti rus Putin kishin rënë dakord që të qëndrojnë në kontakt për këtë çështje. Qeveria gjermane po informon tani për detajet e bisedës aleatët të NATO-s.