Sholz merr urime nga shumë liderë botërorë
9 Dhjetor 2021Komisionerja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen (nga partia CDU që tani në Gjermani është në opozitë) e uroi kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz për zgjedhjen në këtë post dhe tha se ajo së bashku me kancelarin e ri dëshiron të angazhohet për një "Evropë të fortë". Von der Leyen shkroi në Twitter se ajo mezi pret "bashkëpunim të mëtejshëm në mirëbesim të plotë për një Evropë të fortë".
Vizita e parë në Francë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka uruar kancelarin e ri federal Olaf Scholz për zgjedhjen e tij. "Kapitullin e ri do ta shkruajmë së bashku. Për francezët, për gjermanët, për evropianët", shkroi Macron në Twitter. "Shihemi të premten!”, shtoi ai.
Kancelari i ri Scholz pritet për drekë në Pallatin Elysée ditën e premte, që do të jetë edhe vizita e parë e tij jashtë vendit, pas marrjes së detyrës.
Urimet nga Kina dhe Rusia
Presidenti dhe kryeministri i Kinës poashtu e urojnë Scholzin për zgjedhjen në këtë post. Kreu i shtetit dhe lideri i partisë kineze Xi Jinping dhe kryeministri Li Keqiang kanë telefonuar me kanclarin e ri dhe i kanë uruar zgjedhjen në Bundestag. Televizioni shtetëror i Kinës bën të ditur se presidenti i Kinës u shpreh në favor të zgjerimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve mes dy vendeve me qëllim ngritjen e marrëdhënieve "në një nivel të ri". Xi Jinping i përshkroi Kinën dhe Gjermaninë si "partnere strategjike gjithëpërfshirëse".
Presidenti citohet të ketë thënë se ata të dy e kanë trajtuar njëri-tjetrin me respekt të ndërsjellë gjatë viteve dhe kanë kërkuar gjuhën e përbashkët, ndërsa dallimet janë tejkaluar.
Ndërsa presidenti i Rusisë Vladimir Putin synon "marrëdhënie konstruktive" me qeverinë e re gjermane dhe kancelarin Olaf Scholz. "Ne po llogarisim në vazhdimësinë dhe në marrëdhëniet konstruktive midis presidentit dhe kancelarit të ri", u shpreh zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Orban nuk sheh përmirësim
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, sheh në këtë moment "një humnerë të thellë" në raportet mes Gjermanisë dhe Hungarisë. Ai mendon se kështu do të mbetet edhe pas ardhjes së kancelarit të ri Olaf Scholz. "Qeveria e re e majtë-liberale po përpiqet të largohet nga Evropa e atdhedashurisë që ishte në kohën e Kohlit, drejt një politike të ndikuar nga gjermanët, me mirëkuptim ndaj migrantëve dhe gjinive të ndryshme, të diktuar nga Brukseli. Këtu ne nuk jemi më krah për krah," shkroi Orban dhe pohon: "Uniteti ynë u prish edhe me krizën e migracionit të vitit 2015".