Kancelarja Merkel flet për integrimin: JO shoqërive paralele, në të cilat nuk vlejnë të drejtat themelore
18 Shtator 2010Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një bisedë me gazetën e njohur "Frankfurter Allgemeine Zeitung" në numrin e së shtunës (18.09) në të cilën ajo kundërpërgjigjet ndaj akuzës se CDU po shkëputet nga rrënjët e saj si parti konservatore, ka prekur edhe temën e migrimit. Gjermania është e detyruar të ndryshojë më shumë, shtoi ajo. Në lidhje me këtë kemi pasur për shumë vite iluzione. Ata duhet të përgatiten për ndryshime të tjera në të ardhmen, veçanërisht si pasojë e imigrimit, vlerëson Merkel.
Integrimi - detyrë e vendasve dhe e të ardhurve
Integrimi është një detyrë edhe për shoqërinë vendase, ka theksuar Merkel. Ndërsa për imigrantët që refuzojnë integrimin ajo paralajmëroi qëndrim "strikt". "Xhamitë do të jenë më shumë se më parë pjesë e pamjeve të qyteteve tona", tha Merkel.
Kancelarja Angela Merkel pranoi gabime në politikën gjermane të imigrimit. Shumë gjëra nuk kanë pasur sukses deri tani, i tha ajo gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Kryetarja e qeverisë theksoi se nuk do të toleronte shoqëri paralele, në të cilat nuk vlejnë të drejta themelore si për shembull barazia e burrit me gruan. Imigrantët që refuzojnë kurset e gjuhës, duhet të llogarisin me shkurtimin e përfitimeve sociale, tha ajo. Diskutimi mbi dështimet në politikën e integrimit u rindez prej tezave të diskutueshme të anëtarit tashmë të pushuar të kryesisë së Bankës Qendrore Gjermane Thilo Sarrazin. Merkel tha se nuk e ka lexuar librin e Sarrazinit.
AG/Lindita Arapi
Redaktoi: Elert Ajazaj