1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel nën presion

6 Tetor 2018

Vlerat e sondazheve të unionit konservator janë më të ulta se kurrë më parë. Kancelarja Merkel po humbet gjithnjë e më shumë mbështetës brenda partisë së saj, prandaj fjalimi para të rinjve konservatorë ishte me rëndësi.

Kiel Deutschlandtag der Jungen Union | Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Rehder

Në fjalën para Unionit të të Rinjve Kristiandemokratë (JU), kancelarja Merkel bëri thirrje për unitet para zgjedhjeve të rëndësishme në Bavari dhe Hesen. Ajo kërkoi dhënien fund të grindjeve të vazhdueshme brendapartiake dhe apeloi ndaj CDU dhe CSU-së "që ne tani të kthehemi tek votuesit, dhe të mos merremi me matje forcash." Merkeli në konferencën e Unionit të të Rinjve Kristiandemokratë (JU) premtoi, se do të punojë shumë që koalicioni me bazë të gjerë të kthehet tek puna faktike.

Koalicioni është bashkëpërgjegjës për vlerat e dobta në sondazhe në landet Hesen dhe Bavari, pranoi Merkel. "E di po ashtu, që ne përmes grindjeve tona, kemi kontribuar shumë që sondazhet të jenë ato që janë", tha Merkel në Kiel. Votuesit nuk e vlerësojnë pozitivisht, kur ne grindemi me njëri-tjetrin, për gjëra që ata nuk i kuptojnë.

"Të tjerët nuk flenë"

Në të njëjtën kohë ajo i bëri thirrje Europës për të zhvilluar strategji të përbashkëta për sfidat më të rëndësishme aktuale. Nëse Gjermania do të luajë rol në radhët e para në një botë të globalizuar, atëherë kjo bëhet vetëm bashkë me Europën. "Të tjerët nuk flenë". Merkel përmendi si fusha të përbashkëta të BE politikën e jashtme dhe të sigurisë, si edhe shkencën dhe zhvillimin. "Bëhet fjalë për "prezantimin e përbashkët si aktor global" për ballë Rusisë, Kinës apo Afrikës, tha Merkel. Me debatin e integrimit është shumë humbur shumë kohë që duhej vënë në dispozicion për zhvillimin e mëtejshëm të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale.

Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Rehder

Në fund Merkel kërkoi dhënien fund të grindjes brenda unionit për refugjatët. Në ta ardhmen emigrantët nga Afrika do të luajnë një rol edhe më të madh se refugjatët nga Siria apo Iraku, tha Merkel. "Për këtë ne si union duhet të reagojmë me një plan të përbashkët." Afrika nuk duhet parë si kontinent problematik, por si shans, theksoi kancelarja gjermane. Nganjëherë diskutohet në union sikur jemi ende në verën e 2015-s. Ndoshta nuk janë zgjidhur të gjitha problemet por situata ka ndryshuar tërësisht, tha Merkel. "Nuk duhet të merremi vazhdimisht me të shkuarën."

Kritika nga kreu i JU

 Kreu i të rinjve konservatorë, JU, Paul Zimiak u shpreh me kritika për kancelaren gjermane. Duke parë vlerat e rëna në sondazhe, ai u shpreh per rigjenerim. "Kush do të jetë kancelar i këtij vendi, duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për të drejtuar këtë vend drejt së ardhmes", tha Ziemiak.

Fjalimi i Merkelit shihet si test për kongresin e partisë konservatore në dhjetor. Merkel u shpreh skeptike lidhur me idenë e të rinjve konservatorë për kufizimin e mandatit të krerëve të qeverisë. Kjo është në kundërshtim me lirinë e mandatit të deputetëve të Bundestagut, tha ajo. Në kongresin e partisë CDU në dhjetor, Merkel kërkon të rizgjidhet si kryetare e partisë dhe ka theksuar se do të qëndrojë deri në fund të mandatit, në vitin 2021.

 

la/(dpa, afp)