1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Kandidatja e Demokratëve Kamala Harris premton "rrugë të re"

24 Gusht 2024

Kamala Harris pasi pranoi nominimin për të qenë kandidate e Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale në SHBA premtoi një rrugë të re dhe sulmoi Trumpin.

Kamala Harris në Kongresin e Partisë Demokratike
Kamala Harris në Kongresin e Partisë DemokratikeFotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

Kandidatja e demokratëve për presidente amerikane, Kamala Harriska edhe më pak se 75 ditë për të bindur elektoratin në SHBA që ta votojnë në zgjedhje. Në fund të Kongresit të partisë në Çikago, ajo prezantoi planet dhe programin e saj të punës në Shtëpinë e Bardhë - dhe zyrtarisht e pranoi nominimin. "Unë e di se ka njerëz që na shikojnë sonte nga këndvështrime të ndryshme. Por dua që ta dini se: Unë premtoj se do të jem presidente e të gjithë amerikanëve", tha zëvendëspresidentja aktuale e SHBA-së. Ajo dëshiron, siç theksoi, të fillojë një "rrugë të re përpara” së bashku me qytetarët – jo si anëtare e një partie apo grupi, por si amerikane. Ajo synon të bëjë gjithçka për të "kapërcyer hidhërimin, cinizmin dhe ndarjet nga e kaluara”.

Një paralajmërim i qartë për Trumpin

Kamala Harris në Kongresin e Partisë DemokratikeFotografi: Vincent Alban/REUTERS

Në të njëjtën kohë, ajo paralajmëroi për pasojat negative të një fitoreje të mundshme të Trumpit në zgjedhje. Siç tha ajo, Trumpi kujdeset vetëm për interesat e veta. "Pasojat, të cilat do të ndodhin nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, janë jashtëzakonisht të rënda”, tha ajo. Nga ana tjetër, Harris premtoi se do të luftojë për klasën e mesme, për unitet dhe kohezion në shoqëri. Nëse zgjidhet presidente, ajo premtoi ulje taksash nga të cilat do të përfitojnë më shumë se 100 milionë amerikanë. Harris dëshiron të jetë një presidente, e cila nuk është vetëm për të udhëhequr, por edhe për të dëgjuar. Ajo angazhohet për marrëdhënie të mira me aleatët dhe paralajmëroi bashkëpunim të ngushtë me partnerët tradicionalë në Evropë, por edhe me Ukrainën.

Diktatorët dhe Trumpi

Kamala Harris nuk u distancua nga Donald Trump vetëm në nivelin politik të brendshëm. Ajo e prezantoi kundërshtarin e saj republikan si një kandidat të dëshiruar nga diktatorët dhe tiranët, të cilët duan ta shohin ate si President të ardhshëm të SHBA. "Unë nuk do t'i përkëdheli tiranët dhe diktatorët si Kim Jong Un, të cilët luten që Trump të fitojë," tha ajo.

Si presidente, ajo premtoi se nuk do të hezitojë kurrë të mbrojë sigurinë dhe idealet e Amerikës. Në luftën e vazhdueshme midis demokracisë dhe tiranisë, Harris theksoi "se ajo e di se ku qëndron dhe ku duhet të qëndrojë SHBA-ja".

Duke i hedhur sytë nga Trump, ajo paralajmëroi: "Ju e dini se Trump nuk do t'i bëjë autokratët përgjegjës - sepse ai dëshiron vetë të jetë autokrat."

Çështja e Gazës

Kamala HarrisFotografi: J. Scott Applewhite/dpa/AP/picture alliance

Duke folur për luftën në Lindjen e Mesme, Harris mbështeti fuqimisht përfundimin e armiqësive dhe vendosjen e armëpushimit në Gazë, si dhe lirimin e pengjeve. Ajo tha se presidenti Joe Biden dhe ajo si zëvendëspresidente po punojnë gjatë gjithë kohës për këtë. Harris gjithashtu theksoi se gjithmonë do të mbrojë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Në të njëjtën kohë, Harris foli ashpër dhe troç edhe për vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës. "Ajo që ka ndodhur në dhjetë muajt e fundit në Gazë është tragjike. Kaq shumë njerëz të vdekur dhe të pafajshëm... njerëz të dëshpëruar e të uritur që ikin dhe kërkojnë siguri. Përmasat e vuajtjeve janë zemërthyese," u tha Harris mijëra delegatëve. Ajo theksoi se vuajtjet në Gazë duhet të marrin fund "dhe palestinezët duhet të realizojnë të drejtën e tyre për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje", gjë që shkaktoi duartrokitje të mëdha.

Luftëtar për drejtësi "në emër të popullit"

Siç është e zakonshme në politikën amerikane, Harris foli edhe për historinë e saj familjare, prindërit dhe rrugëtimin e jetës së saj. Ajo tregoi se si vajzë kishte një shok shkolle që ishte i ekspozuar ndaj dhunës seksuale në shtëpi. Kjo, siç tha ajo, e forcoi vendimin e saj për t'u bërë prokurore. Kamala Harris u paraqit si një luftëtare për drejtësinë "në emër të popullit". Ajo ka udhëhequr shumë procese të vështira gjyqësore dhe është gati, siç thotë ajo, të udhëheqë një luftë të vështirë parazgjedhore për Shtëpinë e Bardhë.

Trump akuzon Harrisin për mosveprim

Pritje shumë e mirë e fjalimit të Kamala HarrisFotografi: Jacek Boczarski/AA/picture alliance

Në platformën e tij "Truth Social", Trump akuzoi Harrisin se nuk po bën asgjë dhe se thjesht vetëm ankohet. Ajo ankohet për gjithçka, por nuk bën asgjë!”, ka shkruar Trump. Harrisi, sipas Trumpit, duhet të ndalojë së foluri dhe të kthehet në Uashington për t'u marrë me problemet për të cilat ankohet. Sipas 78-vjeçarit Trump, ajo e ktheu Amerikën në një komb të dështuar.

Mbështetja nga personat e famshëm

Kongresi i Partisë Demokratike është gjithmonë festiv, është një manifestim për të gjithë të pranishmit në sallë por dhe për njerëzit para ekranit. Në ditën e katërt në Çikago, ylli amerikan Pink performoi së bashku me vajzën Willow. Ata performuan këngën "What About Us”, ku flitet për ndjenjën e zhgënjimit tek liderët politikë që nuk i realizojnë premtimet. Kënga shpreh zhgënjimin e njerëzve, të cilët kanë përshtypjen se zëri i tyre nuk po dëgjohet.