1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kaosi i Donald Trumpit në Siri: "Pa strategji serioze"

20 Tetor 2019

SHBA ndërmjetësuan një armëpushim mes Turqisë dhe kurdëve në Siri. Ajo do të zgjidhë problemet, që ka shkaktuar vetë Trump. Kritikat ndaj presidentit amerikan janë shtuar.

USA Trump kündigt Sanktionen gegen Türkei an
Fotografi: AFP/S. Loeb

Presidenti Donald Trump nuk shprehet shumë i shqetësuar në publik për situatën në kufirin turko-sirian. Të enjten (17.10) ai e krahasoi konfliktin mes ushtrisë turke dhe trupave kurdë si grindje mes dy fëmijëve. „Nganjëherë ata duhet të luftojnë një kohë", tha ai para përkrahësve në Teksas. „Pastaj i ndajmë nga njëri-tjetri", shtoi ai.

500 vetë kanë humbur jetën ndërkohë nga fillimi i ofensivës ushtarake turke javën e kaluar, mes tyre 72 civilë. Të dhënat vijnë nga Qendra Vëzhguese Siriane për Drejtat e Njeriut dhe mund të verifikohen me vështirësi. Nga të dhëna të tjera bëhet e ditur, se 300.000 vetë kanë marrë arratinë. UNICEF bën të ditur po ashtu, se luftimet kanë shkatërruar një depozitë uji në rajon që furnizonte 400.000 vetë me ujë të pijshëm. Me zënie kalamajsh kjo nuk ka të bëjë aspak.

U zgjidh problemi i shkaktuar nga vetë Trumpi?

Më 6 tetor presidenti amerikan bëri të ditur tërheqjen e trupave amerikane nga Siria Veriore. Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet, se „së shpejti Turqia do të fillojë me operacionin e planifikuar për një kohë të gjatë në Sirinë Veriore", dhe se ushtria amerikane nuk do t'i mbështesë trupat turke në këtë operacion. Por nuk bëhej fjalë për dënimin e operacionit. Megjithëse ky operacion drejtohej kundër milicëve kurdë, që ishin aleatët më të rëndësishëm të SHBA në luftën kundër të ashtuquajturit „Shteti Islamik".

Fotografi: Getty Images/B. Kara

Pak pas marshimit të ushtrisë turke në Siri, dhe pas kritikave të ashpra nga vetë republikanët, Trump kërcënoi me „shkatërrim të plotë" të ekonomisë turke. Të enjten, ai bëri të ditur, se zëvendëspresidenti, Mike Pence udhëtoi në Ankara për të negociuar një armëpushim dhe se janë fshirë sanksionet e planifikuara. Por ajo që presidenti amerikan prezantoi si sukses me krenari „ishte zgjidhja e një problemi që ai e shkaktoi vetë", thotë Frances Brown nga Qendra Carnegie për Paqen Botërore në bisedë me Deutsche Wellen. „Vendosen sanksione për një aksion, për të cilin Turqia kishte besuar, se kishte marrë dritën e gjelbër nga Shtëpia e Bardhë."

"Pa strategji serioze"

Bulent Aliriza, themelues dhe drejtor i institutit turk, Qendra për Studimet Ndërkombëtare Strategjike", CSIS vazhdon më tej. Ai thotë për DW, se nuk i kujtohet ndonjë rast, kur tre politikanë, Pence, ministri i Jashtëm, Pompeo dhe këshilltari për sigurinë,  Robert O'Brien të shkojnë diku diku së bashku „për të vënë rregull në rrëmujën që shkaktoi Trump."

Thuhet se, këshilltarët ushtarakë nuk u konsultuan para se Shtëpia e Bardhë të jepte sinjalin për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria Veriore. Ndryshimet e vazhdueshme të vëna re ditët e fundit, duket se e konfirmojnë këtë. „Mendoj, se mund të thuash, se nuk ka një strategji serioze", thotë Michael Singh, nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt dhe ish-këshilltar i ministrit të Jashtëm, Colin Powell. „Përgjegjësit duhet të nxitojnë shumë tani që të dalin me një strategji të re."

Sipas ekspertëve megjithatë këto 12 ditë kanë shkaktuar dëme të mëdha. Kurdët ndjehen të tradhtuar nga SHBA, Turqia ndjehet e provokuar nga Trump, aleatëve të tjerë SHBA i tregoi me sjelljen e saj arbitrare, se nuk mund të mbështetesh tek Uashingtoni. Sipas ekspertes Brown kundërshtarët e SHBA përhapin me dëshirë se vendi ynë nuk është më një partner i besueshëm. „Këtë treguam ne tani."

Luftime në Ras al-AinFotografi: Getty Images/B. Kara

Kthesë mbrapa në Siri

Ndërkohë lidhur me strategjinë në Siri, e cila ekzistonte dikur, SHBA kishte tre synime: Të mposhte „Shtetin Islamik", të reduktonte influencën e Iranit në Siri dhe të fillonte një transformim politik të pakthyeshëm. „Zhvillimet e fundit tregojnë, se me gjasë mund të kemi një forcim të ISIS-it", tha Singh për DW. „Ato me siguri do ta forcojnë ndikimin e Iranit në Siri, kështu në të tre pikat kemi pësuar kthim mbrapa."

Tani edhe kreu i republikanëve në senat, Mitch McConnell ka dalë kundër politikës së Donald Trump. „Tërheqja e trupave amerikane nga Siria është një gabim i rëndë strategjik", shkroi ai në "Washington Post". Ky gabim e bën më të pasigurtë Amerikën dhe dobëson partnerët tanë të rëndësishëm. Ai bëri thirrje urgjente që të mbetet një numër ushtarësh amerikanë në Siri.

Nuk dihet se si do të ecë marrëveshja pesë ditore e armëpushimitpër tërheqjen e kurdëve, 32 kilometra në thellësi të Sirisë dhe përgjatë kufirit 440 kilimetra mes dy vendeve. Ankaraja kërkon që „kjo zonë sigurie" të braktiset nga të gjithë milicët kurdë që për Turqinë janë një organizatë terroriste. Plani është zhvendosja e miliona refugjatëve sirianë aty.

Të martën (22.10) Erdogan takohet me presidentin rus, Putin. Ekspertët janë të mendimit, se ndikimi rus në rajon pas tërheqjes së SHBA do të rritet. Se si do të veprojë në të ardhmen Turqia, varet edhe nga ajo, se çfarë mbështetje do t'i japë Erdoganit, presidenti Putin.

Ky artikull u mundësua edhe nga hulumtimet e Alexander Matthews.

 

Carla Bleiker Carla Bleiker është redaktore për dw.com dhe reportere në redaksinë e shkencës