1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kaosi merr fund - Zgjidhet kreu i parlamentit të Tyringisë

28 Shtator 2024

Parlamenti i landit të Tyringisë zgjodhi politikanin e CDU-së, Thadäus König si kryetarin e ri të parlamentit të landit në seancën e së shtunës. König fitoi në raundin e parë të votimit kundër kandidates së AfD, Muhsal.

Kreu i ri i parlamentit, Thadäus König, CDU - König me kostum të ri dhe syze
Kreu i ri i parlamentit, Thadäus König, CDUFotografi: Martin Schutt/dpa/picture alliance

Deputeti i CDU-së, Thadäus König u zgjodh kryetar i parlamentit të landit të Tyringisë me 54 nga 87 vota. 32 deputetë votuan për kundërshtaren e tij Wiebke Muhsal nga grupi parlamentar i AfD-së.  Paraditen e sotme parlamenti i landit vazhdoi seancën, e cila ishte ndërprerë pas debateve dy ditë më parë. Gjykata Kushtetuese e landit i kishte hapur rrugë më parë zgjedhjes së shpejtë të presidiumit gjatë natës.

Parlamenti i landit TyringiFotografi: Martin Schutt/dpa/picture alliance

Me kërkesë të grupit parlamentar të CDU-së, gjyqtarët kushtetues të Vajmarit vendosën njëzëri se parlamenti i landit ka të drejtë të ndryshojë rregulloren përpara zgjedhjes së presidiumit. Me këtë parlamenti mund të ri-vendosë rregullat se kush ka të drejtën e propozimit. Deri më tani, propozimi i kandidatit/tes fillimisht ishte i rezervuar për grupin më të madh parlamentar rrjedhimisht AfD-së. Me ndryshimin, König mundi të propozohej që në raundin e parë të votimit dhe të merrte shumicën e thjeshtë të nevojshme.

Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese?

Në një vendim të premten në mbrëmje Gjykata Kushtetuese e Tyringisë e bëri shumë të qartë se drejtuesi i seancës, deputeti më i vjetër në moshë si drejtues i seancës së parë parlamentare të landit, Jürgen Treutler nga AfD ka tejkaluar autoritetin e tij në seancën e parë të parlamentit të landit të enjten dhe ka shkelur të drejtat e deputetëve disa herë. Ai duhet të kishte vendosur për kuorumin e parlamentit në mbledhje dhe më pas t'i linte deputetët të votonin për rendin e përkohshëm të ditës.

Deputeti më i vjetër në moshë si drejtues i seancës së parë parlamentare të landit, Jürgen Treutler nga AfD shkaktoi skandalinFotografi: Jens Schlueter /AFP/Getty Images

Kaos në parlamentin e landit Tyringi

Seanca e parë e parlamentit të Tyringisë pas debateve të ashpra disa orëshe të enjten (26.09.)u ndërpre. Një procedurë rutinë parlamentare, ku zgjidhet presidenti i parlamentit dhe zihen poste të rëndësishme u kthye në një grindje të ashpër mes partisë AfD, e shpallur nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës si "e sigurt ekstremiste e djathtë" dhe partive të tjera në parlament. Seanca u ndërpre pa mundur të zgjidhet presidenti i parlamentit të landit.

 

la/ag

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë