180409 oas gipfel
20 Prill 2009Në takimin e nivelit të lartë të Organizatës së Shteteve Amerikane, presidenti i SHBA, Barak Obama bëri të ditur dëshirën e tij për një politikë të re ndaj Amerikës Latine, e cila të bazohet mbi respekt dhe angazhim.
Nën duartrokitjet e përfaqësuesve të 34 shteteve Obama foli për një "partneritet të ri", ku nuk do të ketë "partnerë seniorë dhe juniorë", më të vjetër e të vlerësuar, dhe të rinj. Synim duhet të jetë intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike, sigurimi i burimeve energjitike dhe nxitja e energjive alternative
Veç kësaj, Obama tha se ai synon një fillim të ri, për "një numër të madh temash" me Kubën.
"Shtetet e Bashkuara kërkojnë një fillim të ri në marrëdhëniet me Kubën. Unë e di, se do të jetë një rrugë e gjatë kapërcimi i dekadave të mosbesimit, por ne mund të guxojmë një fillim të ri."
Obama tha se ka dëshirën për afrim, pasi kishte dështuar politika e mëparshme e Uashingtonit për të forcuar lirinë e kubanëve. Ai i ofroi udhëheqjes kubane biseda për të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit dhe ekonominë. Pa sukses mbetën megjithatë apelet e shteteve amerikanolatine, për ta hequr embargon disavjeçare ndaj Kubës. Siç u bë e qartë në takim dhe siç i deklaroi stacionit televiziv NBC këshilltari kryesor ekonomik i Obamas, Larry Summers, eleminimi i embargos së vitit 1962 "është ende një rrugë e largët". Vendimtare është se çfarë përparimesh bën Kuba. Obama tha se kishte urdhëruar tashmë lehtësi udhëtimi për emigrantët kubanë, për të shkuar në atdheun e tyre dhe lehtësime të tjera të sanksioneve. Presidenti i Kubës, Raul Kastro ofroi të premten në një takim në Venezuelë për herë të parë dialog me Uashingtonin për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit:
"Unë u them SHBA: ne jemi të gatshëm për të diskutuar për gjithcka: të drejta të njeriut, liri shtypi, të burgosur politikë- vërtet të gjitha. Por duhet të jenë biseda midis të barabartëve, sovranitetit tonë nuk duhet t'i vihet në asnjë mënyrë pikëpyetje."
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Afrikane, Jose Miguel Insulza tha të shtunën se ai beson se Kuba megjithatë do të ftohet në takimin e ardhshëm të shteteve amerikane pas tri vjetësh. Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner tha se është "paradoks" përjashtimi i mëtejshëm i Kubës nga sistemi brendaamerikan me argumentin se bën pjesë në "polin sovjetik", gjë që rrezikon sigurinë e kontinentit.
Të gjithë shefat e shteteve dhe të qeverive të kontinentit kërkuan më këmbëngulje krijimin e një rendi të ri për të gjithë Amerikën, duke përfshirë edhe Kubën. Edhe presidenti i Venezuelës dhe kritiku më i ashpër i SHBA, Hugo Chavez foli për "një fillim të mirë me hapa të mirë" dhe se ka ndërmend t'i rivendosë marrëdhëniet diplomatike me SHBA, të ndërprera vitin e kaluar.
Autor: Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama