1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapet një bandë trafikantësh me migrantë në Austri

29 Nëntor 2021

Policia në Austri ka arrestuar 15 persona të dyshuar për trafikim qeniesh njerëzore. Ata kanë sjellë ilegalisht në Austri shtetas të Libanit, Sirisë dhe Egjiptit.

Symbolbild: Grenzkontrolle
Fotografi: imago/J. Gruber

Brenda pak ditësh u arrestuan 15 të dyshuar si trafikantë të njerëzve, kumtoi policia në Austri. Ata sollën më shumë se 700 njerëz në vend ilegalisht. Shumica prej tyre kishin marrë rrugën për në Gjermani, raportoi një zëdhënës i policisë në St. Pölten të Austrisë.

Sipas hetuesve, operacioni i kontrabandimit është shkatërruar pasi një transport prej 200 deri në 300 persona me gjithsej 25 automjete u largua nga kufiri serbo-hungarez në mes të nëntorit. Rruga kalonte përmes Sllovakisë dhe Republikës Çeke deri në Austri, ku u sekuestruan katërmbëdhjetë automjete. Hetimet e mëtejshme për mbështetësit e këtij kontrabandimi të njerëzve po vazhdojnë.

Shoferët u rekrutuan në Moldavi, Ukrainë dhe Uzbekistan me paga mujore deri në 3.000 euro. Ata u arrestuan kryesisht gjatë kontrollit të automjeteve, por edhe në një hotel të Vjenës, njofton policia. Të gjithë personat e kapur u përpoqën të arratiseshin në momentin kur janë ndaluar.

Fotografi: picture alliance/Pressefoto Ulmer/A. Schaad

Sipas hetimeve, ata kishin 12 deri në 15 persona të ngarkuar në makinat e përdorura për transport të udhëtarëve. Makinat ishin përgatitur posaçërisht për këtë transport me xhama të errësuar. Përveç kësaj, sediljet e pasme u hoqën dhe shasia u përforcua, në mënyrë që të sa më shumë udhëtarë të futen në një automjet.

Emigrantët kanë paguar 4.000 deri në 5.000 euro për person për të kaluar nga kufiri serbo-hungarez deri në brendësi të Bashkimit Evropian. Ndërsa destinacioni kryesor i tyre synohej të ishte Gjermania. Kjo u mësua nga deklaratat e tyre, pasi shumica deklaruan se donin të udhëtonin për në Gjermani - me tren ose me makina të të afërmve të tyre që jetojnë ndërkohë në këtë vend. Vetëm një e treta deklaruan se donin të aplikonin për azil në Austri. Në Austri janë arrestuar gjatë këtij viti më shumë se 330 persona nën dyshimin se janë marrë me trafikimin ilegal të refugjatëve apo azilkërkuesve.

 

 

bc/uh/se (dpa, ap)