1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapitali i jashtëm ka anashkaluar ekonominë e Maqedonisë

13 Tetor 2010

Edhe pse qeveria e Maqedonisë ka zhvilluar një fushatë mediale ndërkombëtare për tërheqjen e investitorëve të huaj, vlera e kapitalit të jashtëm në ekonomi është në krahasim me vendet e rajonit në nivelin më të ulët.

Vreshtat në Maqedoni
Vreshtat në MaqedoniFotografi: dpa

Sipas një raporti të OKB-së, Maqedonia është vendi me më pak investime të huaja nga të gjitha shtetet në rajon. Vlera e investimeve nga jashë në ekonominë e Maqedonisë arrin shumën e 248 milion dollarëve amerikanë. Edhe pse qeveria e Maqedonisë ka bërë promovimin e vendit në mediat ndërkombëtare si vend atraktiv për investitorët e huaj, kapitali i jashtëm ka anashkaluar ekonominë e Maqedonisë.

Martin Stoshiq nga Agjencia për thithjen e investimeve nga jashtë, e fokuson arsyen për klimën e keqe investuese në krizën globale ekonomike. Sipas tij, tregu i Maqedonisë është i vogël andaj edhe tejkalimi i krizës do të zhvillohet më ngadalë. “Zhvillimi ekonomik i vendit varet para së gjithash nga importi, andaj është normale që në këto ekonomi efektet e krizës të ndjehen më gjatë. Mëkëmbja e ekonomive të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian do të kontribojë edhe në përmirësimin e klimës investuese në Maqedoni”, thotë Martin Stoshiq.

Vend jo i sigurt për investime

Por, ekspertët ekonomikë nuk pajtohen me vlerësimet e qeveritarëve për arsyet e mungesës së investimeve nga jashtë. Profesori universitar Nikolla Popovski thotë se kompanitë e huaja tani më e kanë investuar kapitalin e tyre në vendet e rajonit duke anashkaluar Maqedoninë. Politika stagnuese e qeverisë në proceset euro integruese e ka bërë vendin jo të sigurt për kapitalin e huaj shton Popovski. “Pozita jostabile ndërkombëtare e Maqedonisë i largon investitorët e huaj. Këtu duhen shtuar edhe raportet e përkeqësuara në planin e brendshëm politik. Gjyqësori i politizuar nuk paraqet kornizë të qëndrueshme ligjore për mbrojtjen e kapitalit të huaj. Të gjithë këta faktorë ndikojnë që kapitali i huaj të mos investohet në ekonominë e vendit” shprhet profesori Popovski.

Zonat e lira nuk nxitën investimet e huaja

Analisti ekonomik dhe profesori universitar Abdylmenaf Bexheti, e vlerëson si hap të gabuar të qeverisë promovimin e zonave të lira ekonomike, të cilat edhe pas funksionimit disa vjetësh nuk arritën të sigurojnë prezencën e kompanive të huaja. “Zonat ekonomike edhe të krijuara si të tilla ishin pa një koncept dhe strategji. Në një vend kaq të vogël, me një ekonomi të hapur siç është Maqedonia, zonat ekonomike nuk kanë ndonjë rol në konceptin e zhvillimit ekonomik,” thotë profesori Abdylmenaf Bexheti. Gjithnjë sipas tij, Maqedonia përderisa e ka të bllokuar procesin e eurointegrimeve, e ka të errët edhe perspektivën e investimeve nga jashtë.

Ivestimet e huaja direkte janë në nivel të ulët për shkak të mungesës së atraktivitetit të ekonomisë vendase, shprehet Kasam Zendeli nënkryetar i Odës ekonomike veriperendimore të Maqedonisë. Edhe pse Maqedonia ka bërë ndryshime në politikat monetare dhe fiskale, investimet nga jashtë mungojnë. “Ekzistojnë disa faktorë tjerë që janë shumë të rëndësishëm për investitorët si stabiliteti politik, social, ekonomik dhe procesi integrues në NATO dhe BE. Që ne si shtet të përparojmë në fushën e investimeve të huaja, nevojitet politikë më pragmatike në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve të hapura,” thotë Kasam Zendeli.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të ri parashikon se ekonomia e Maqedonisë deri në fund të ketij viti do të rritet me 1.2% , që do të jetë ritja më e ulët nga të gjitha vendet e rajonit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama