1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kartë blu e BE-së për emigracionin e specialistëve

24 Tetor 2007

Karta blu e BE-së do t´u mundësojë emigrantëve një punësim legal në Bashkimin Evropian. Se sa emigrantë do të pranohen në tregun e punës do të përcaktohet nga vetë vendet anëtare.

Punëtor
Punëtor i huaj në GjermaniFotografi: DW-TV

Ndryshe nga Greencard-i amerikan, që është i pakufizuar në kohë, Bluecard-i sipas planeve të ministrit të drejtësisë të BE-së Franko Fratini (Franco Frattini) do të lëshohet fillimisht për dy vjet por me mundësinë për t´u zgjatur në kohë. Specialistë nga vende jashtë komunitetit do të lejohet të migrojnë sipas një procedure të shpejtë në qoftë se ata kanë një edukim të përshtatshëm, kanë një kontratë pune dhe vërtetojnë se kanë një rrogë që është sa trefishi i rrogës minimale të vendit ku migrojnë.

Evropa është një kontinent imigrimi


Presidenti i Komisionit të BE-së, Barrozo, (Jose Manuel Barroso): "Komisioni Evropian adoptoi të martën (23.10) dy propozime të rëndësishme. Njëri prej tyre synon të bëjë më humane pranimin e specialistëve me kualifikim të lartë, kurse tjetri ofron një procedurë të përgjithshme që do të aplikohet në të gjitha rastet. Një procedurë e vetme aplikimi për një vend pune dhe për një leje qëndrimi dhe për një paketë të përbashkët të drejtash për emigrantët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian për të punuar legalisht në Evropë. Evropa është një kontinent imigrimi. Nuk ka dyshim për këtë fakt. Ne jemi të lakmuar për shumë njerëz por ne nuk jemi të aftë të tërheqim njerëzit me kualifikim të lartë".

Barrozo: "Me kartën blu të BE-së ne lëshojmë një sinjal të qartë. Njerëzit me kualifikim të lartë nga të gjitha vendet e botës janë të mirëpritur në Evropë. Më lejoni të shprehem më qartë. Unë nuk po njoftoj sot, se ne po hapim dyert për 20 milionë specialistë me kualifikim të lartë. Karta blu nuk është një çek i bardhë. Kjo kartë parashikon një procedurë unike evropiane që bazohet në kërkesën për forca pune. Karta blu do të rrisë gjithashtu mobilitetin e imigrantëve dhe familjeve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë të gjitha të drejtat të përcaktojnë numrin e punonjësve të kualifikuar që do të pranojnë duke u mbështetur në nevojat e tregut të punës të vendit përkatës."

Barrozo: "Kjo siguron që migrantëve do t´u njihen të drejta të ngjashme me ato të qytetarëve Evropianë. Të drejta të barabarta çojnë drejt një integrimi më të mirë dhe paqeje sociale. Propozimi ofron një procedurë unike për një qytetar jashtë Evopës për të marrë të drejtën e qëndrimit dhe lejen e punës në Bashkimin Evropian. Kjo që ne propozojmë sot do të mbështesë përpjekjet e Bashkimit Evropian në luftën kundër konkurrencës së pandershme si rrjedhojë e forcës ilegale të punës."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW