Karta elektronike për të kontrolluar gjimnazistët
6 Qershor 2012Shumë zyra moderne dhe ndërtesa universitare kanë karta të veçanta që të lejojnë të futesh në brendësi të tyre, por nuk është e zakonshme që fëmijët të përdorin këto karta të veçanta për t'u futur në shkollë. Muajin e shkuar dy kompani letoneze, një për prodhimin e aplikacioneve në internet dhe një operator biletash online, prezantuan një kartë të re sigurie, e cila kombinon veprimet e një çelësi dhe një sistemi monitorimi online. Kjo lloj karte hyrjeje dhe monitorimi online duket se do të shpërndahet në të gjithë sistemin arsimor letonez.
Që prej muajit tetor, nxënësit e tre gjimnazeve të Rigas janë duke përdorur kartat e transportit publik edhe për të hyrë në shkollë. Një shkollë ku përdoret gjuha letoneze dhe dy të tjera ku përdoret gjuha ruse, janë pajisur gjithashtu me këtë lloj karte në mënyrë që shkolla të jetë një ambjent i sigurtë. Për momentin të dhënat janë duke u përpunuar nga një aplikacion online i Mykoob, aplikacion i sistemit arsimor letonez, që kontrollon nëse nxënësit janë në klasë apo jo. Një pjesë e sistemit menaxhohet edhe nga “Rigas Karte”, kompania e cila përshtati sistemin e biletave elektronike në trasportin urban në vitin 2008.
„Kur studentët vendosin kartën pranë një pajisje të posaçme, ne identifikojmë numrin e kartës dhe më pas e dërgojmë në serverin e shkollës,“ tha Eric Morizur, Drejtor i "Rigas Karte", në një intervistë për Deutsche Welle. „Dhe serveri më pas mund të thotë se kush është në shkollë dhe kush jo. Është një link me numrin e serisë së kartës dhe nxënësve të shkollës.” Programet speciale të instaluar në pajisjet që lexojnë kartat elektronike, lejojnë vetëm nxënësit të hyjnë në ambjentet e shkollës dhe asnjë tjetër të jashtëm. Kompania “Rigas Karte” menaxhon pajisjet që bëjnë leximin e kartave, ndërkohë që një aplikacion tjetër merr të dhënat.
Analiza e pranisë
Mykoob.com është një faqe e shkollave letoneze, që menaxhon sistemin arsimor dhe është programuar nga një kompani letoneze në vitin 2009. Edhe pse ka një numër në rritje të programeve që ndihmojnë nxënësit dhe studentët të arrijnë rezultate më të mira, programet që kontrollojnë prezencën e tyre janë të pakët. “Kur hyn në shkollë dhe nuk kalon kartën, do të thotë që mësuesja do të kujtojë se ju nuk jeni prezent në mësim,” thotë Girts Laudaks, një nga programuesit e Mykoob. “Pra, ju nuk jeni të interesuar të futeni në shkollë pa skanuar kartën. Një informacion i tillë është në të mirën tuaj, po ashtu edhe edhe të prindërve, ndërkohë që shkolla mund të bëjë shumë analiza.”
Sapo një student kalon kartën e tij para pajisjes skanuese, informacioni shkon në regjistrin online të klasës, por ka edhe informacione se kur nis leksioni, apo provimet që ka për të dhënë ky nxënës. Nëse prindërit futen në këtë faqe ata mund të shikojnë informacionet për fëmijët e tyre, madje ka edhe njoftime speciale që mund t'u shkojnë në formën e mesazheve në celularin e tyre. Deri tani në faqen Mykoob janë regjistruar vullnetarisht 500 nga 900 shkolla gjithsej të nivelit fillestar dhe të mesëm. Edhe pa praninë e kartave mësuesit dhe administratorët e shkollës mund të hedhin informacionet online. Po deri tani vetëm tre prej tyre janë duke përdorur sistemin e kartave. Transporti publik në Riga ka një kartë të tillë që prej vitit 2008.
Shqetësimet rreth vëzhgimit
Gjimnazi nr.49 në Riga është një nga shkollat që ka futur në përdorim kartën e re të sigurisë dhe nxënësit thonë se nuk duan të jenë objekt i kontrollit të përditshëm që bëhet në Mykoob. Ata nuk janë të kënaqur me programin. “Unë mendoj se në sistem ka disa probleme sepse Mykoob nuk tregon gjithmonë në mënyrë korrekte kush mungon dhe kush jo,” thotë Paul Ancs, një nxënës 18-vjeçar në gjimantin nr.49. Ancs shpjegon se disa herë sistemi tregonte që ai nuk ishte në klasë ndërkohë ai ishte në të vërtetë. Ai nuk mund të korigjojë informacionin për prezencën e tij. Nxënësi thotë gjithashtu se nuk ndihet nën presion apo i ndjekur nga tekonoligjia sepse rregullat dhe disiplina në shkollë kanë qenë gjithmonë të forta. Në Letoni prej kohësh studentët ndjekin një traditë e cila detyron nxënësit që vijnë me vonesë, të pastrojnë klasën dhe korridorin.
Disa akademikë janë duke hedhur idenë e vëzhgimit të nxënësve nëpërmjet kartave elektronike. Ata thonë që për momentin nuk ka ndonjë problem akut me sigurinë në shkolla dhe është një hap drejt vëzhgimit total të shoqërisë. Letonia është shumë e ndjeshme ndaj çështjes së vëzhgimit. Ky shtet së bashku me dy vendet e tjera balltike, për 50 vite ishin në syrin e rreptë vëzhgues të Bashkimit Sovjetik.
Mykoob tashmë mund të marrë informacione në kohë reale nga sistemi i kartave elektronike. “Nuk duhet të jetë një mjet i përgjithshëm,” thotë Klavs Sedlenieks, një antropolog social në Universitetin Stradins të Rigës. “Duhet të jetë diçka që njerëzi duhet të zgjedhin, asnjeri nuk do të jetë i kontrolluar dhe monitoruar gjatë gjithë kohës. Duhet të jetë diçka që ti duhet ta zgjedhësh. Nëse një fëmijë ka probleme atëherë mund të merret kjo masë dhe t'i thuhet që nëse sillesh si një i rritur ne nuk do të kontrollojmë më.”