1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KE: 80 milionë euro ndihmë Shqipërisë për krizën energjetike

27 Tetor 2022

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen gjatë vizitës në Tiranë: "Shqipëria po ecën vërtet përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE-së.”

Albanien TIrana | Ursula von der Leyen, EU & Edi Rama, Ministerpräsident
Fotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images

Komisioni Europian (KE) do t'i japë qeverisë së Shqipërisë një ndihmë buxhetore emergjente prej 80 milion eurosh për të përballuar krizën energjetike, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur vetë presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të mbajtur gjatë vizitës zyrtare që ajo zhvilloi në Tiranë, të enjten, (27.10). Kjo ndihmë do t'i vihet në dispozicion qeverisë pas dy muajve, në janar 2023. Presidentja e KE, vuri në dukje që "Rusia po përdor energjinë si armë, po manipulon tregjet dhe energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat në treg dhe çmimet e larta stratosferike”. "Ne, në BE, kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anën e unitetit dhe solidaritetit. Me krizën energjetike do të përballemi të gjithë sëbashku, kjo do të thotë unitet dhe solidaritet edhe me Shqipërinë. Ne jemi pjesë e një unioni për energjinë, prandaj ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve të larta të energjisë për bizneset, familjet dhe qytetarët. Fjala është për një grant prej 80 milionë eurosh, që do të vijë në janar. Pjesa e dytë e mbështetjes do të jetë afatmesme dhe afatgjatë. Po flasim për 500 milionë euro grante për investime në infrastrukturën energjetike në të gjithë rajonin”, tha Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Rama , të zhvilluar në Tiranë. Presidentja e KE bëri me dije që BE "ka diversifikuar në mënyrë të suksesshme larg nga Rusia burimet e energjisë me furnitorë si SHBA, Norvegjia etj. dhe ka mbushur magazinat, depot me një sasi gazi mbi 92 përqind për gjithë BE-në. Por nga këto depozitime do të përfitojmë të gjithë”. "Kjo na jep tashmë sigurinë që ne do t'ia dalim gjatë këtij dimri dhe jemi shumë më të përgatitur tani nga ç'kemi qenë në fillim të luftës në Ukrainë. Kemi një situatë, që është e qendrueshme që do të thotë se mund të shohim edhe ndërhyrjet në treg, si për shembull mekanizmin e korrigjimit të tregut. Mbështetje financiare të drejtpërdrejtë, investime në energjinë e rinovueshme dhe infrastrukturën energjetike dhe së fundi një qasje e strukturuar me ndërhyrje në treg për të zbutur çmimet. Ky është trekëndëshi që BE po përdor për këtë krizë,” theksoi Ursula von der Leyen në Tiranë.

Fotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images

Hapja e negociatave me BE-në sukses i Shqipërisë

Presidentja e KE theksoi që hapja në korrik të këtij viti e negociatave të pranimit me BE "është një sukses i Shqipërisë.” "Është rezultati i shumë viteve plot me përpjekje, me punë të madhe që ka bërë Shqipëria dhe qytetarët e Shqipërisë. Ju keni ruajtur një vëmendje shumë të fortë tek procesi e integrimit në rrugëtimin drejt integrimit europian dhe keni treguar përherë përkushtim ndaj vlerave të BE dhe kjo ka çuar në hapjen e negociatave. Angazhimi i plotë i Shqiërisë në linjë me përgjigjen e BE-së ndaj luftës brutale dhe agresore të Rusisë kundër Ukrainës është shembullore. Shqipëria në formë aktive ka mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe ju falenderoj për këtë përkushtim të qartë. Shqipëria po ecën vërtet përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE,” dekaroi presidentja e KE.

Pritshmëri nga samiti BE-BP 2022 që do të zhvillohet në Tiranë

Kryeminisri i Shqipërisë Rama bëri me dije që samiti i vendeve anëtare të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, (BP) do të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor të këtij viti. Ai e cilësoi zhvillimin e samitit "një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë kur për herë të parë në histori të gjithë liderët europianë dhe ata të BP do të vijnë në Tiranë.”

"Pritshmëritë tona nga ky samit janë diskutimet për situatën gjeo-politike. Në qendër të tyre do jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe sesi mund të mbështesim më tej Ukrainën. Jemi shumë të qartë që ne do qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet dhe mendoj që edhe energjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto diskutime. Do kemi dhe tema të tjera si për shembull infrastruktura, por edhe se si do të vijojmë të trajtojmë krizën energjetike,” theksoi presidentja e KE, Ursula von der Leyen. Ajo zhvilloi bisedime edhe me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj gjatë vizitës së saj prej disa orësh në Tiranë. Ursula von der Leyen mbërriti në Tiranë pas vizitave në Shkup dhe Prishtinë, të premten, (28.10) ajo do të vazhdojë turin e saj në Ballkanin Perëndimor duke qëndruar në Beograd dhe Sarajevë. Stacioni i fundit pritet të jetë Podgorica, të shtunën, më 29 tetor.