050810 Kenia Verfassung
6 Gusht 2010Himni kombëtar dhe një e rënë borie për kushtetutën e re. Qeveria keniane bën të ditur përfundimin e zgjedhjeve. Njerëzit kanë votuar me shumicë të madhe për të reformuar vendin. Presidenti Mwai Kibaki deklaron:
"Udhëtimi historik që nisëm njëzet vjet më parë, mbërriti në një fund të gëzueshëm. I garantoj të gjithë vëllezërit dhe motrat që u shprehën kundër ndryshimeve, se zëri i tyre u dëgjua. Por, le të garantojmë të gjithë bashkë përtëritjen kombëtare nën kushtetutën e re."
Ishte përpjekja e dytë për ndryshimin e kushtetutës
Kibaki e kishte ndërmarrë një herë nismën për ligj të ri themeltar, por në 2005-ën kenianët e kundërshtuan reformën. Pak më vonë vendi u zhyt në kaos. Pas zgjedhjeve presidenciale të 2007-ës shpërthyen trazira; rreth 1.500 vetë u vranë. Kushtetuta e ndryshuar duhet të çojë tani përpara pajtimin e grupeve të popullsisë dhe të japë sinjalin për një fillim të ri. Një tregtar në Nairobi thotë:
"Ne s'kemi pasur kurrë një ditë kaq të rëndësishme sa kjo. Ndihemi si të rilindur. Tani e ardhmja mund të bëhet vetëm e mirë."
Kufizim i pushtetit të presidentit dhe reformë agrare
Ligji i ri parashikon ndër të tjera një shpërndarje të ndryshuar pushteti brenda qeverisë. Presidenti kontrollohet më fort dhe mund të shkarkohet nga parlamenti, ashtu si edhe ministrat. Përveç kësaj një reformë e tokës do të bëjë që politikanët të mos favorizojnë dot njerëzit e tyre me troje, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën. Pikërisht kjo pikë ishte kritikuar nga shumë kundështarë të kushtetutës, si ish-presidenti Daniel Moi. Por ai dhe bashkëluftëtari i tij, ministri i Arsimit William Ruto, e pranuan humbjen.
Kenianët gëzojnë për kushtetutën e re
Deri tani duket se gjendja është e qetë edhe në provincën qendrore Rift Valley, ku jeton shumica e përkrahësve të Rutos dhe e kundërshtarëve të kushtetutës. Por, dhjetëra mijëra forca sigurie vazhdojnë të kontrollojnë atje gjendjen.
Në pjesën tjetër të vendit shumica është dehur nga fitorja. Në Nairobi u grumbulluan mijëra vetë në sheshin qendror, për të festuar së bashku.
Autor: Antje Diekhans / Elert Ajazaj
Redaktoi: Eliana Xhani