1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR: Ruajmë praninë e përhershme në urën mbi lumin Ibër

11 Shtator 2024

KFOR e ka bërë të qartë, se do të ruajë praninë e përhershme mbi lumin Ibër duke theksuar se çdo vendim duhet marrë përmes dialogut.

KFOR në urën lumin Ibër
KFOR në urën lumin IbërFotografi: Vjosa Cerkini

Forcat paqeruajtëse të NATO-s e bënë të qartë se vendimi për hapjen e urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë duhet të ndodhë vetëm përmes procesit të dialogut dhe në koordinim me faktorin  ndërkombëtar. Përmes një video mesazhi, zëdhënësi i KFOR-it Koloneli Salvatore Mascoli, theskoi, se KFOR-i, do të mbajë praninë e tij të përhershme në urë. "Për sa i përket çështjes së mundësisë së hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe i qëndrueshëm gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetin ndërkombëtar. 

KFOR-i do të mbajë praninë e tij të përhershme në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, tha zëdhënësi i KFOR-it. "Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona. Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së”, tha zëdhënësi Mascoli.

Fotografi: Idro Seferi/DW

Kurti në pjesën veriore të Mitrovicës

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili një ditë më parë vizitoi pjesën veriore të Mitrovicës, ku theksoi, se qeveria e tij është e gatshme për hapjen e urës së Ibrit, por shtoi se "janë duke pritur miratimin e KFOR-it dhe Quint-it." "Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete, sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, deklaroi Kurti.