1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kim Jogn Un me tren të blinduar për t‘u takuar Trumpin

25 Shkurt 2019

Pushtetmbajtësi koreanoverior, Kim Jong Un kryen 4.500 kilometra rrugë me tren të blinduar për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump këtë javë në Vietnam. Me avion udhëtimi do të zgjaste 5 orë.

Nordkorea Abfahrt Kim Jong Un nach Vietnam
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/KCNA

Një fluturim nga Koreja e Veriut në Vietnam zgjat pesë orë, por kreu i shtetit koreanoverior, Kim Jong Un ka zgjedhur variantin më të gjatë. Ai e nisi që të shtunën udhëtimin me tren të blinduar për në Vietnam, ku do të zhvillohet samiti i dytë me presidentin amerikan, Donald Trump. Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA publikoi pamje të nisjes së trenit me pushtetmbajtësin Kim. Në këtë udhëtim, Kim Jong Un shoqërohet nga anëtarë të lartë të byrosë politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komunistë, njofton agjencia koreane. Udhëtimi nga Pheniani deri në Hanoi me tren është 4500 kilometra. Pas mbërritjes në Dong Dang në Vietnam, pjesën e mbetur prej 170 kilometrash Kim do ta kryejë me automjet. Kjo autostradë, zakonisht mjaft e frekuentuar pritet të bllokohet plotësisht për trafikun të martën nga ora 06.00-14:00, ora lokale, njoftojnë mediat shtetërore vietnameze. Edhe masat e sigurisë në Hanoi janë forcuar, njoftojnë reporterë të AFP-së.

Treni i blinduar i Kim Jon UnFotografi: picture-alliance/Yonhapnews

Në gjurmët e babait

Pushtetmbajtësi Kim Jong Un edhe udhëtimin e parë zyrtar jashtë vendit në mars të vitit të kaluar në Kinë e kreu me tren. Një tren i blinduar, të cilin e ka përdorur edhe babai i tij, Kin Jon Il në dhjetor 2011 në udhëtimet e tij në Kinë dhe Rusi. Para samitit, Kim Jong Un pritet të bëjë një vizitë zyrtare në Vietnam. Siç ka bërë të ditur Ministria e Jashtme në Hanoi, Kim në „ditët e ardhshme" pritet në Vietnam, por nuk u dha asnjë njoftim më i saktë.

Të mërkurën dhe të enjten, në qendër të takimit me presidentin amerikan, Donald Trump janë çarmatimi atomik i Koresë së Veriut dhe shpërblimet që do të ofrojë Uashingtoni. Në samitin e parë në Singapor në qershor, Kim kishte ofruar parimisht gatishmërinë për „çarmatimin e plotë nuklear", por nuk u bënë marrëveshje konkrete se si do të kryhet shkatërrimi i arsenalit atomike Presidenti amerikan ndodhet nën presion kohor, pasi ai duhet t'i paraqesë kongresit rezultate konkrete.

 

la/stu/wa (dpa, afp)