Kim përgatit raketat për sulm ajror
29 Mars 2013Koreja e Veriut sipas të dhënave të veta ka vënë në gatishmëri raketat e saja strategjike për të sulmuar SHBA-në dhe Korenë e Jugut. Në rastin e një provokimi të "pamatur" nga ana e SHBA-së, forcat ushtarake të Koresë së Veriut do të sulmojnë SHBA-në dhe bazat ushtarake të saj në ishujt e Paqësorit Guam dhe Havai si dhe bazat në Korenë e Jugut, citon agjencia e lajmeve KCNA pushtetmbajtësin Kim Jong Un.
Ky veprim vjen si kundërpërgjigje e dërgimit të bombarduesve strategjikë të tipit “B-2 të SHBA-së në Korenë e Jugut, si dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake me Seulin. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha para gazetarëve në Pentagon se Uashingtoni i merr këto kërcënime shumë seriozisht. SHBA-ja është e përgatitur për "çdo eventualitet".
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur kohët e fundit në mënyrë të dukshme, qëkurse Pheniani pas ashpërsimit të sanksioneve të OKB-së pas testit të tretë bërthamor nëntokësor shfuqizoi paktin e mossulmimit me jugun. SHBA dhe Koreja e Jugut ranë dakord të premten e kaluar për rritjen e bashkëpunimit ushtarak. Qeveria amerikane angazhohet të mbështesë ushtarakisht Korenë e Jugut edhe në rastet e provokimeve të vogla.