1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina denoncon tarifat e BE për automjetet elektrike kineze

30 Tetor 2024

BE ka rritur tarifat doganore në 45.3% për automjetet elektrike të importuara nga Kina. Kina e ka kritikuar vendimin, po ashtu edhe Gjermania e Hungaria.

Automjetet kineze MG 6 dhe Roewe RX8 në China International Industry Fair (CIIF 2018)
KE argumenton se kapaciteti i tepërt i prodhimit të Kinës, rreth 3 milionë automjete elektrike në vit, është sa dyfishi i madhësisë së tregjeve të BEFotografi: HPIC/dpa/picture alliance

Të martën, Bashkimi Evropian miratoi zyrtarisht tarifat doganore që variojnë nga 7.8% në 35.3%, të cilat i shtohen tarifës standarde të BE për importin e automjeteve prej 10%. Pekini e denoncoi këtë masë përpara Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pse vendos BE tarifa doganore?

Bashkimi Evropian argumenton se subvencionet kineze dëmtojnë konkurrencën kombëtare. Komisioni Evropian ka identifikuar financime dhe subvencione preferenciale, së bashku me tokën, bateritë dhe lëndët e para të ofruara me çmime nën tregun.

Komisioni argumenton se kapaciteti i tepërt i prodhimit të Kinës, rreth 3 milionë automjete elektrike në vit, është sa dyfishi i madhësisë së tregjeve të BE. SHBA dhe Kanadaja kanë aplikuar tashmë tarifa doganore 100% për automjetet elektrike kineze, kështu që Europa është tani tregu më i dukshëm për këto automjete kineze.

Shefi i Tregtisë së BE-së Valdis Dombrovskis tha të martën se "duke miratuar këto masa proporcionale dhe të përcaktuara pas një hetimi rigoroz, ne po mbrojmë praktikat e drejta të tregut dhe bazën industriale evropiane."

"Ne e mirëpresim konkurrencën, duke përfshirë sektorin e automjeteve elektrike, por ajo duhet të mbështetet nga sjellja korrekte dhe një fushë loje e barabartë," tha ai.

I dërguari kinez Wang Wentao takohet me Valdis Dombrovskis në Bruksel (19.09.2024)Fotografi: EU/Christophe Licoppe

Si reagoi Kina?

Tarifat doganore u vendosën pas dështimit të negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Kinës për përcaktimin e çmimeve të automjeteve elektrike. Një raund i ri do të nisë së shpejti, megjithëse Komisioni Evropian tha se kanë mbetur"boshllëqe të rëndësishme".

Kina i kritikoi tarifat e reja doganore. "Kina nuk pajtohet dhe nuk do ta pranojë vendimin," tha Ministria e Tregtisë, duke u zotuar të marrë të gjitha masat e nevojshme "për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze".

Tarifat doganore prekin automjete të ndryshme të prodhuara në Kinë në përqindje të ndryshme. Automjetet e huaja të prodhuara në Kinë, si Tesla, goditen nga një tarifë 7.8%, gjiganti kinez i automobilave Geely përballet me një tarifë prej 18.8%, ndërsa kompania shtetërore SAIC është goditur me tarifën më të lartë, 35.3%.

Dhoma Kineze e Tregtisë pranë BE i kërkoi Brukselit dhe Pekinit të "përshpejtojnë bisedimet për të vendosur çmime bazë minimale dhe, në fund të fundit, t'i eliminojnë këto tarifa doganore".

Ndërkohë, Kina ka vendosur të ndërmarrë hapa hakmarrës, duke u zotuar të vendosë tarifa të përkohshme doganore për konjakun evropian, si dhe duke hetuar subvencionet e Bashkimit Evropian për disa produkte qumështi dhe mishin e derrit të shitur në Kinë.

Bashkimi Evropian i ndarë për tarifat doganore

Tarifat doganore e kanë ndarë bllokun: pesë nga 27 anëtarët e tij kanë votuar kundër dhe 12 kanë abstenuar.

Gjermania, prodhues i madh i automobilave, është një nga kundërshtarët kryesorë.

Hildegard Müller dhe kancelari Olaf Scholz në panairin e automjeteve IAA (05.09.2023)Fotografi: Sven Hoppe/dpa/picture alliance

Presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë Automobilistike, VDA, e përshkroi vendosjen e tarifave doganore si "një pengesë për tregtinë e lirë globale dhe për rrjedhojë për mirëqënien, ruajtjen e vendeve të punës dhe rritjen e Evropës".

"Industria nuk është naive kur bëhet fjalë për trajtimin e Kinës, por sfidat duhet të zgjidhen përmes dialogut”, tha Hildegard Müller në një deklaratë, duke paralajmëruar se tarifat doganore rrisin rrezikun e një konflikti tregtar të gjerë.

Ministria gjermane e Ekonomisë theksoi gjithashtu të martën se Berlini "mbron tregjet e hapura". "Sepse Gjermania në veçanti, si një ekonomi e ndërlidhur globalisht, varet nga kjo”.

Prodhuesit gjermanë të automobilëve kanë kritikuar ashpër tarifat doganore, duke u druajtur për taksa të mundshme më të larta të importit kinez për automjetet me benzinë me motor të madh, gjë që do t'i godiste më rëndë.

Hungaria, ku Kina po ndërton fabrika të reja të automjeteve elektrike, i ka kritikuar gjithashtu tarifat doganore, ndërsa Franca i ka mbështetur fuqishëm ato.

Tarifat doganore do të rrinë në fuqi pesë vjet, nëse nuk arrihet një zgjidhje miqësore.

aud (rmt/AFP, AP, Reuters)

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë