Kina kritikon takimin e Obamës me Dalai Lamën
17 Korrik 2011Kina e sheh takimin si një rrezik për marrëdhëniet bilaterale. " Një veprim i tillë është përzierje në punët e brëndshme të Kinës, lëndon ndjenjat e popullit kinez dhe dëmton marrëdhëniet kineze-amerikane", citon agjencia e lajmeve Xinhua zedhënësin e Ministrisë së Jashtme në Pekin. Kina kërkon që SHBA të ndalojë "ndërhyrjet" dhe të ndërpresë mbështetjen e "lëvizjes seperatiste të tibetianëve“.
Udhëheqja në Pekin e akuzon Dalai Lama-n se po punon për shkëputjen e Tibetit nga Republika Popullore dhe e bën atë përgjegjës për trazirat në pllajën e Himalajës.
76 vjeçari, i cili u largua nga Tibeti i pushtuar nga Kina në vitin 1959 është nderuar me çmimin Nobel për paqe në vitin 1989 për angazhimin e tij për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe për më shumë autonomi për rajonin.
Zbutet karakteri zyrtar i takimit
Për herë të fundit Obama e kishte takuar kreun shpirtëror të tibetianëve në shkurtin e vitit të kaluar. Ai u prit në "Dhomën e Hartave" të Shtëpisë së Bardhë në Ushington dhe shkaktoi zemërimin e udhëheqjes kineze. Por sikurse atëherë, edhe tani presidenti amerikan u përpoq që t'i reduktojë disi formën zyrtare takimit. Pra takimi të shtunën (16.07.2011) nuk u zhvillua në Zyrën Ovale, por përsëri në "Dhomën e Hartave". Përfaqësuesit e medieve nuk u lejuan të ishin të pranishëm.
Pas një bisede 45 minutash me kreun e budistëve, Obama theksoi se sa e rëndësishme është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe që Tibeti edhe më tej do të trajtohet nga SHBA si pjesë e Kinës.
Udhëtimet për në Tibet të kufizuara
Në Tibet autoritetet kineze kanë kufizuar edhe më tej udhëtimin e turistëve në rajon lidhur me festimet zyrtare, për siç quhet „çlirimin paqësor“ të Tibetit nga trupat kineze para gati 60 vjetësh.
Qysh prej qershorit nuk lejohen më pushues të huaj të udhëtojnë për në Tibet, autoritetet vështirësuan tani edhe hyrjet për turistët kinezë, bëjnë të ditur qendrat e ndryshme turistike kineze. Numri i biletave do të jetë i kufizuar dhe rrugët për në Tibet do të mbikqyren ashpër, thuhet më tej. Brenda territorit të Tibetit janë ngritur pika të tjera kontrolli. Organizata joqeveritare "Fushata Ndërkombëtare për Tibetin", (ICT) bëri të ditur se kryeqyteti tibetian Lhasa është “ndarë nga pjesa tjetër e botës“.
Autor: Susanne Eickenfonder (dpa, dapd) / Mimoza Kelmendi
Redaktoi: E. Xhani