1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina vazhdon manovrat në Tajvan

8 Gusht 2022

Pekini po vazhdon demonstrimin e fuqisë ushtarake kundër Tajvanit dhe mbi të gjitha kundër SHBA-së. Për momentin nuk shihet fundi i kësaj matjeje të muskujve.

China fliegt weitere Manöver über Taiwan
Fotografi: Gong Yulong/Xinhua/Xinhua News Agency/picture alliance

Sipas burimeve kineze, ajo ka kryer manovra të reja ushtarake pranë Tajvanit. Ushtria kineze ka "vazhduar stërvitjet praktike në det dhe hapësirën ajrore rreth ishullit të Tajvanit", me fokus në "organizimin e operacioneve të përbashkëta kundër nëndetëseve dhe sulmeve detare", kumtoi Komanda Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Pekini planifikon që gjatë manovrave këtë të hënë të ushtrojë me të shtëna edhe në Detin e Kinës Jugore dhe në Detin e Verdhë midis Kinës dhe gadishullit Korean. Ndërsa Tajvani ka njoftuar se do të ketë manovra me të shtëna nga forcat e tij të armatosura edhe të martën.

Fotografi: Annabelle Chih/Getty Images

Të dielën, Ministria e Transportit në Taipei njoftoi se shtatë "zonat e përkohshme të rrezikut" që Kina u kishte kërkuar linjave ajrore të shmangnin, u hoqën në orën 12:00 (sipas kohës lokale atje). Kjo u mor si shenjë se disa nga manovrat kanë marrë fund.

Kur u njoftuan manovrat, Kina fillimisht kishte premtuar se ato do të përfundojnë ditën e dielë. Por deri tani, nuk është shpallur përfundimi zyrtar i manovrave. Përkundrazi, disa komentues kinezë kanë sugjeruar se stërvitjet ushtarake do të zhvillohen rregullisht edhe në të ardhmen dhe se mund të jetë një normalitet i ri.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Wu Qian, i përshkroi manovrat si një "paralajmërim të domosdoshëm" për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Tajvanin. Ishte një reagim "i duhur” ndaj "provokimeve” të tyre. Tensionet u krijuan "qëllimisht" nga SHBA, me ardhjen e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Taipei, pavarësisht kundërshtimeve të Pekinit.

Fotografi: ANN WANG/REUTERS

Stërvitjet rreth Tajvanit, të cilat filluan të enjten pas largimit të Pelosit nga Tajvani, ishin stërvitjet më të mëdha në historinë e kësaj zone. Pekini përdori avionë luftarakë, anije luftarake dhe raketa balistike. Tajvani akuzoi Kinën për simulimin e një sulmi të mundshëm kundër Tajvanit.

 

 

 

 

bc/sti/as (afp, dpa, rtr)