Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë të shkatërruara në trazira nuk janë riparuar
7 Dhjetor 2007Pasojat e trazirave të marsit të vitit 2004, akoma po i kushtojnë Kosovës. Kjo për faktin që meremetimi i kishave dhe manastireve ortodokse serbe të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, akoma nuk ka përfunduar dhe për këtë kërkohen fonde shtesë. Qeveria e Kosovës deri tash ka ndarë 6 milion Euro, ndërsa, për vitin e ardhshëm kërkohen edhe dy milionë të tjera, me shpresën që të përfundojë tërësisht meremetimi i kishave dhe manastireve serbe. Emma Karmicael (Carmichael), nga komisioni i ndërtimit, thotë:
"vitin e ardhshëm procesi i meremetimit do të fokusohet më shumë në punën e specialistëve, përkatësisht në vizatimin e ikonave të reja kishtare. Në këtë projekt janëpërfshirë ekspertë nga Kosova dhe Serbia të ndihmuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe kjo punë është shumë e ndjeshme dhe po ashtu kushton shumë", tha zonja Karmichael. Autoritetet ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës, kanë marrë masa të vecanta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në këtë linjë, autoritetet thonë se, trashëgimia kulturore e Kosovës nuk duhet ndarë nga ajo e Evropës. Zurab Sakashvilli, nga Këshilli i Evropës, thotë:
"ne konsiderojmë se trashëgimia kulturore e Kosovës është si çdo trashëgimi e çdo pjese të Evropës dhe kjo është arsyeja se pse ne nuk jemi të fokusuar vetëm në Kosovë, por edhe në çdo cep të Evropës. Por, tash në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me meremetimin e kishave dhe manastireve serbe. Ne këtë cështje nuk e shohim në aspektin etnik dhe fetar, por, si një trashëgimi evropiane".
Në trazirat e marsit të vitit 2004, u dëmtuan 34 Kisha dhe Manastire serbe. Gjatë tri viteve të shkuara, pothuaj të gjitha punët e vazhda u përfunduan me fonde të qeverisë së Kosovës dhe një pjesë u nda edhe nga mekanizmat financiarë të Evropës. Mirëpo, procesi i meremetimit akoma nuk ka përfunduar tërësisht. Kjo pritet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa fjalën e fundit do ta thotë komisioni i cili mbikqyrë meremetimin e kishave dhe manastireve serbe.