1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kjo histori mund të ndodhte vetëm në Shqipëri

Aida Cama3 Tetor 2007

Në libraritë e Berlinit shfaqet sërish libri "Mbreti i Shqipërisë". Ai është shkruar nga gazetari Andreas Izquierdo dhe bazohet në kujtimet e shkruara të berlinezit Otto Witte.

Kopertina e librit "Mbreti i Shqipërisë" i Andreas Izquierdos
Kopertina e librit "Mbreti i Shqipërisë" i Andreas IzquierdosFotografi: Rotbuch Verlag
Deutsche Welle: Kush është kësaj radhe "Mbreti i Shqipërisë"?

Andreas Izquierdo: Mbreti i Shqiptarëve ka qenë Otto Witte. Ai ka qenë klloun dhe në vitet 1912 dhe 1913 është sjellë nëpër Ballkan dhe Konstantinopojë, pra edhe në Shqipëri. Në këtë kohë Shqipëria ishte duke u çliruar nga Perandoria Osmane dhe për të kërkohej një mbret. Otto Witte i ngjante shumë një anëtari të familjes së Sulltanit dhe kështu i shkoi në mend: "nëse shqiptarëve u duhet një mbret atëherë le ta gjejmë një, po bëhem unë". Kështu ai morri veshje me qera në Vjenë, i veshi dhe shkoi në Shqipëri ku morri komandën e trupave turke. Dhe siç ndodh në këto raste kur dikush vjen me një uniformë mbretërore, të gjithë e besuan si komandant dhe i bënë edhe ofertën të bëhej "Mbret i Shqipërisë".

Deutsche Welle: Historia tingëllon e pabesueshme. Disa nuk e besojnë vërtetë. Po ju si autor, e besoni këtë histori?

Andreas Izquierdo: Unë ja kam treguar këtë histori shumë njerëzve dhe të gjithë buzëqeshnin kur e dëgjonin. Unë besoj se e di pse buzëqeshnin, sepse edhe mua më ka ndodhur e njëjta gjë, sepse njerëzit duan që historia të jetë e vërtetë. Ndërkohë historia është 100 vjeçare dhe nuk vazhdon të tregohet e tregohet. Sot nuk ka më rëndësi nëse historia është e vërtetë apo jo.

Andreas Izquierdo, gazetar dhe autor librash ndër të tjera edhe "Mbreti i Shqipërisë"Fotografi: Jürgen Siegmann

Deutsche Welle: Për herë të parë historia është botuar në fillim të viteve tridhjetë dhe më vonë në fund të viteve tridhjetë. Në të dy rastet Otto Witte, ka qenë autor dhe me siguri që ai ja ka treguar me dikujt historinë që e ka shkruar për të, sepse vetë ai ishte analfabet, megjithëse fliste shumë gjuhë të Ballkanit. Si qëndron raporti midis versionit të vjetër dhe të ri të librit?

Andreas Izquierdo: Libri bazohet kryesisht një kujtimet e Ottos. Problemi është se ato janë kujtimet e dikujt që fantazon shumë, prandaj ato edhe duhen lexuar si të tilla. Unë nuk njoh kërkënd tjetër që të ketë shpëtuar më shumë princesha se otto Witte. Otto shkruan në kujtimet e tij se e quan veten e vetë si aventurierin më të madh të kohës dhe kështu janë dhe historitë e tij. Nëse do të duhet të thuhej me përqindje do të thosha 20 për qind e asaj që Otto shkruan në kujtimet e tij gjendet në librin tim, pra thelbi i kësaj historie, shpallja e tij mbret. Gjithë pjesa tjetër është e re.


Deutsche Welle: A është historia një histori gjermane? A ka rëndësi vendi ku luhet kjo histori? A ka historia lidhje me Shqipërinë? Apo një histori e tillë mund të ndodhte kudo në Shqipëri ashtu si në Afrikë, në Azi?


Andreas Izquierdo: Shqipëria luan një rol të madh sepse historia ka ndodhur aty. Nuk e di nëse historia mund të ndodhë edhe në vende të tjera. Besoj se jo. Ka shumë faktorë që luajnë rol dhe e bëjnë një histori të tillë të mundshme. Nga pikëpamja historike konstelacionet ishin shumë të favorshme për një ngjarje të tillë. Ajo ndodhte para luftës së parë botërore. Gjatë luftrave ballkanike ka ekzistuar një lloj kaosi ku Shqipëria çlirohet nga Perandoria Osmane dhe kështu kroijohet një vakum forcash e pushteti dhe në këtë vakum shfaqet Otto me aksionin e tij. Nëse historia do të ndodhte diku tjetër duhet që faktorët të jenë të përshtatshëm për një histori të tillë, sepse në këtë formë që është zhvilluar, kjo histori mund të ndodhte vetëm atje.

Deutsche Welle: Ju keni hulumtuar vetëm në Gjermani, apo edhe në Shqipëri?

Andreas Izquierdo: Vetëm në Gjermani, për të dhënat që duheshin nga Shqipëria më ka ndihmuar shumë një vajzë e ambasadës shqiptare në Berlin.

Deutsche Welle. Me një libër të tillë a arrihet ajo që duhet? A do më duhet mua si shqiptare që të mendoj se i përkas një populli budalla, që mashtrohet nga një klloun, i cili bëhet mbreti i tij?

Andreas Izquierdo: Jo. Absolutisht jo. Libri nuk është menduar si i tillë. Në të nuk bëhet fjalë se si mashtrohet një popull, jo. Historia është një histori e bukur që luhet në Shqipëri, dhe kur lexon librin e kupton se shqiptarët nuk janë aspak budallenj. Me një histori të tillë tregohet sa mendjelehtë është Europa, janë turqit dhe Perandoria Gjermane në atë kohë, e cila pak kohë më vonë dërgoi vërtet një mbret në Shqipëri, në vitin 1914. Në këtë histori nuk është kërkush mendjelehtë. Nëse dikush është, atëherë jo shqiptarët.