Historia e një klubi futbolli si pjesë teatrale
4 Qershor 2013Klubi i futbollit Türkiyemspor Berlin ka një histori legjendare. Tani për të është shkruar edhe një pjesë teatrale, premiera e së cilës u shfaq në maj në Berlin.
Klubi Türkiyemspor Berlin u themelua 35 vjet më parë nga të rinj turq dhe fillimisht quhej "Kreuzberg Gencler Birligi" "Bashkimi i ri i Kreuzbergut". Ky nuk qe klubi i parë i krijuar prej emigrantësh, sepse shumë prej tyre janë themeluar në vitin 1960 nga punëtorët "gastarbajter" në Gjermani. Por Türkiyemspor Berlin është i vetmi klub amator, që në vitet 1990 u ngjit mjaft lart dhe madje thuajse kaloi nga ekip amator në ekip futbolli profesionist në kategorinë e dytë të Bundesligës.
Pjesa teatrale quhet "Lidhja e të mallkuarve". Nexho Çelik, regjisor i pjesës "Lidhja e të mallkuarve" thotë: "Nuk ka klub amator me origjinë turke, që ishte aq i suksesshëm në një kohë kaq të shkurtër." Me pjesën teatrale "Lidhja e të mallkuarve" Celik hedh vështrimin pas kulisave të klubit amator me origjinë turke dhe tregon edhe një aspekt të historisë së emigracionit në Gjermani.
Imran Ayata, autor i pjesës dhe tifoz futbolli, bisedoi për të shkruar dramën e tij me lojtarë dhe anëtarë të dikurshëm dhe të sotëm të klubit Türkiyemspor Berlin.
"Me kokë lart të hënave në punë"
"Klubet e futbollit dhe shoqatat e emigrantëve ishin të rëndësishme, sepse përmes tyre ata dilnin në pah dhe tregonin se ishin të pranishëm. Ato u shtonin vetëbesimin emigrantëve, kur ata fitonin ndeshje në një sport kaq të rëndësishëm në Gjermani", thotë Nexho Çelik. Edhe prindërit e tij kanë ardhur si emigrantë në Gjermani.
"Brezi i prindërve tanë ishte si të thuash memec, sepse nuk dinte gjermanisht dhe prandaj nuk shfaqej në publik." Në pjesën teatrale traineri Jusuf thotë se kur fitonim ndeshjen të dielën shkonim në punë me kokë lart.
Pjesa teatrale "Lidhja e të mallkuarve" bën të qartë edhe një veçanti të asaj kohe të futbollit gjerman. Ekipi kishte 11 lojtarë të huaj në fushë dhe tre rezervë, por aso kohe Federata Gjermane e Futbollit DFB lejonte që në ekipet profesioniste të luanin vetëm dy të huaj për skuadër. Vetëm në vitet 90-të Federata Gjermane e Futbollit vuri re se ne ekipet gjermane po shtohej numri i lojtarëve, që jetonin në Gjermani, por nuk kishin pasaportë gjermane. Për këtë u krijua koncepti i "gjermanit futbollist". Pra të huajt, që kishin luajtur disa vjet në ekipe gjermane, konsideroheshin për ndeshjet e ekipeve profesionale si lojtarë gjermanë.
Robert Claus nga Mediateam Türkiyemspor thotë: "Türkiyemspor Berlin ishte pjesë e procesit të hapjes së ekipit kombëtar gjerman për lojtarë të tillë si Mesut Özil."
Pioner i futbollit të femrave
Skuadra Türkiyemspor luan sot vetëm në kampionatin lokal të Berlinit. Por ky klub ishte pararojë edhe në futbollin e femrave. Në vitin 2004 u krijua një ekip femrash, në vitin 2005 ekipi i femrave u regjistrua për të marrë pjesë në ndeshjet e kategorisë D. Në pjesën teatrale trajtohen edhe problemet e komunitetit konservator turk me femrat, që luajnë futboll.
Pjesa teatrale "Lidhja e të mallkuarve" trajton edhe format e racizmit në jetën e përditshme, me të cilat përballen shoqatat e emigrantëve. Për fat të keq nëpër stadiume dëgjohen shpesh thirrje si "Të huajt jashtë!", sharje, apo këngë me përmbajtje neonaziste. Pjesa teatrale e tematizon edhe problemin e dhunës në stadiume.