260711 Urlaubsziele Deutsche
26 Korrik 2011
Breza ranorë të bardhë, palma të larta dhe ujë ngjyrë blu deti (kështu i përfytyrojnë disa pushimet e tyre të ëndërruara). Veçanërisht, kur vera është më shumë me reshje dhe e ftohtë, siç është gjatë këtyre ditëve në Gjermani. Me gjithë motin e paqëndrueshëm, vendi i tyre renditet i pari te gjermanët në listën e vendeve favorite për të kaluar pushimet. Rreth një e treta e njerëzve e kalon këto pjesën kryesore të pushimeve. Dhe moti nuk është gjithmonë i keq. Për shembull, vitin e kaluar në korrik temperaturat arritën në disa qytete kufirin e 40 gradëve (çka për shumë njerëz ishte tepër nxehtë).
Afërsia e vendit të pushimit luan rol
Këtu ndihmon vetëm një banjë e ftohtë...për shembull në Detin e Veriut (njërin prej rajoneve të pushimeve më të pëlqyera në Gjermani). Por edhe shëtitja në Bavarinë e Epërme kërkohet nga pushuesit gjermanë, që bëjnë pushimet brenda vendit. Ose një vizitë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Pikërisht kjo larmi bën që Gjermania të shënojë pikë, thotë Karl Born, profesor për menaxhim turizmi në shkollën e lartë të Harz-it në Saksoni-Anhalt. Por ka edhe aspekte të tjera:
"Për shumë njerëz është e rëndësishme rruga e shkurtër deri në destinacion. Ja që në çdo pikë në Gjermani mbërrin relativisht shpejt (nëse nuk banon në Hamburg ose në Bavari). Në këto raste alternativa për të fluturuar për Mallorca është më e shpejtë. Por përndryshe: të qenët afër, njohja e vendit, mundësia për të folur gjermanisht: këto janë përparësi përcaktuese."
Mbetet vetëm pasiguria me motin. Kush nuk do të rrezikojë, udhëton drejt Jugut: në Spanjë, Itali ose në Turqi. Këto vende janë sipas Shoqatës Gjermane të Turizmit më të parapëlqyerat ndër destinacionet fill pas Gjermanisë.
Autor: Petra Lambeck/ Elert Ajazaj
Redaktoi: Auron Dodi