Temë e bisedimeve: veriu i Kosovës
19 Shkurt 2013Raundi i pestë i dialogut të kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç dhe të Kosovës Hashim Thaçi është planifikuar të zgjasë më shumë se raundet e mëparshme. Shefja e diplomacisë evropiane, Katherine Ashton, ka rezervuar të martën dhe të mërkurën pasdite (19. dhe 20.2.) për, siç e cilësoi ajo, “pjesën më të rëndësishme të dialogut Serbi-Kosovë”.
Formati i takimit do te jetë edhe kësaj radhe i njëjti. Fillimisht të martën në mesditë kryeministrat do të takohen me Përfaqësuesen e lartë evropiane në takime të veçanta, bilaterale, të cilat do të pasohen nga një drekë pune dhe siç njoftohet në Bruksel do të ketë kohë të mjaftueshme për të gjitha çështjet e hapura praktike.
„Ky është takimi i pestë në dialogun, në të cilin ndërmjetëson zonja Ashton. Në këtë kontekst hapen çështje të vështira, prandaj kemi siguruar dhe më shumë kohë. Për ne ky takim është shumë i rëndësishëm“, deklaroi zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE, Maja Kocijançiç.
Hapi vendimtar drejt datës?
Në njoftimet zyrtare nga Brukseli thuhet se temat e bisedimeve të raundit të pestë do të jenë ato, që janë tashmë të hapura, të mbetura të pazgjidhura gjatë takimeve të mëparshme, si dhe hapat e bërë në implementimin e marrëveshjeve të arritura. Në zyrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian i referohen konkluzioneve të Këshillit të Evropës në dhjetor, si një „agjendë dialogu e përcaktuar qartë“ dhe shtojnë se „veriu i Kosovës si çështje e hapur” do të jetë temë e bisedimeve.
Nga Beogradi kanë arritur njoftime se do të bisedohet për „paralelizmin e institucioneve“, tërheqjen e strukturave të kontestuara, në radhë të parë të atyre të lidhura me praninë e ministrisë së Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës, krahas bisedimeve për krijimin e një bashkësie të komunave serbe në Kosovë.
Çështja e „shfuqizimit të institucioneve paralele në veri“ edhe në Parlamentin Evropian shihet si një nga “çështjet e vështira“, për të cilat duhen gjetur përgjigje. Raportuesi për Serbinë, Jelko Kacin, thekson për DW rëndësinë e raundit të ri të bisedimeve në mes kryeministrave Daçiç dhe Thaçi. „Dialogu politik i dy kryeministrave ecen mirë dhe presim që në raundin e pestë të diskutohen gjërat thelbësore, të cilat në raundin e gjashtë në mars, do të mund të marrin një vlerësim pozitiv, me qëllim që Katherine Ashton të ketë argumente për të bindur kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE në takimin e qershorit për t'i dhënë Serbisë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”, thotë Kacin.
A është i dukshëm për BE-në progresi i Serbisë?
Në prag të raundit të pestë të bisedimeve të kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel thuhet se ky dialog “do të vazhdojë, përderisa të ketë çështje të hapura, që duhet të zgjidhen.” Në mes të prillit pritet edhe një raport i Komisionit Evropian mbi progestin e Serbisë në procesin e integrimeve evropiane. Kjo do t'i jepte shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kohë të mjaftueshme për të vendosur deri në qershor, nëse Serbia ka bërë “përparim të dukshëm” dhe nëse është e gatshme, për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për pranim. Tani si “progres i dukshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” konsiderohen zgjidhja e qëndrueshme për veriun e Kosovës, zgjidhja e çështjeve të energjisë, çështja e një prefiksi të veçantë telefonik për Prishtinën, si dhe zbatimi i marrëveshjes për doganat.