1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koha për strategji realiste në mbështetje të rritjes ekonomike në Shqipëri

Ani Ruci19 Gusht 2013

Milva Ekonomi: Qeveria e re duhet të punojë fort, po kështu administrata lokale, bizneset, qytetarët, të gjithë duhet të japin kontributin e tyre duke paguar taksat, duke ulur informalitetin, duke shmangur korrupsionin.

AL-Ekonomi, 2013 Description: 1. Milva Ekonomi, Expert in Statistics and Economy Ani Ruci, Shot in Tirana, August 2013
Fotografi: Ani Ruci

DW: A janë të besueshme dhe reale të dhënat zyrtare statistikore për situatën ekonomike në Shqipëri, pra a mund te jenë ato bazё, pikënisje që qeveria e re Rama tё ndërmarrë politika tё rritjes ekonomike tё vendit?

Milva Ekonomi: Statistikat zyrtare bazohen në tre burime informacioni; rekordet administrative, vrojtimet (anketat) statistikore dhe regjistrimet e përgjithshme. Midis këtyre tre burimeve në mënyrë të vazhdueshme kontrollohen ligjёsitë dhe vërehen shmangiet për të ardhur në një njohje sa më reale. Ёshtë e rëndösishme të theksohet se statistikat duhet të jenë neutrale. Të dhënat e prodhuara deri tani kanë shfaqur mospërputhje, ndaj është e nevojshme të rishikohen. Të dhënat elementare nuk janë vënë në përdorim të kërkuesve në këto vite, rezultatet e dala kanë qenë disi të ndryshme nga kërkimet e pavarura dhe shpesh ka pasur mospërputhje midis tyre. Disa seri kohore të dhënash me kalimin e kohës do të vetёrregullohen, por në këtë moment, kur duhet për të ndërtuar politika të reja, ato nuk janë aty.

DW: Ulja e papunësisë në përgjithësi dhe punësimi i rinisë në veçanti janё sfida e rëndësishme e programit të qeverisë së re Rama. Ka njё lëvizje migratore nga zonat rurale drejt zonave urbane, si edhe vazhdim të emigracionit për shkak të mungesёs së punёs. A janë pasqyruar këto dy fenomene në analizat dhe studimet statistikore, për të dhënë me shifra një Shqipëri reale?

Milva Ekonomi: Së pari mendoj që duhet të dimë më mirë, sa është papunësia në vend. Besoj që mbas kësaj mund të ndërtohen skema më të qarta të punësimit sipas sektorëve dhe aftësimit profesional. Urbanizimi në Shqipëri nuk erdhi si rezultat i industrializimit, por ishte mungesë ofertash pune/shërbimesh në zonat rurale, banorët e të cilave i braktisёn këto zona pёr mundësi të tjera. Në realitetin tonë statistikor deri më tani kjo situatë është paraqitur deri diku nëpermjet regjistrimit të popullsisë, i tetorit 2011, ku u tregua për lëvizjen e brendshme të popullsisë, por nuk u soll dot deri më sot informacion mbi karakteristikat e tregut të punës dhe veçanerisht të të rinjve pjesëmarrës në të. Anketa e forcave të punës jep pak informacion për këtë kategori duke treguar që shkalla e papunësisë për të rinjtë e grup-moshös 15-24 vjeç është rritur në vitin 2012 me 3.5 pikë përqindje duke e çuar atë në nivelin e 25 përqind, por analiza të mëtejshme mbi përkatesinë rajonale të tyre (urbane, rurale) nuk ka.

DW: A duhet reformuar Instituti i Statistikave? Çfarё statusi duhet të ketë ai, që të shndërrohet në një institucion, që me aktivitetin e tij t'i shërbejë hartimit të politikave për rimëkëmbjen e ekonomisë?

Milva Ekonomi: Instituti i Statistikave është një institucion unikal. Ai prodhon të mirë publike dhe për këtë duhet konsideruar si një institucion me rol neutral. Eshtë shumë e rëndësishme që ai te ndjekё rigorozisht matjen e treguesve, që monitorojnë ecurinë e reformave të marra dhe iniciativat me karakter global. Besoj që duhet forcuar me shumë roli i tij publik, duke e shndërruar në një furnizues të mirash dhe duke i hequr krejtësisht tiparin klientelist, që ai mori së fundmi.

DW: Institucionet ndërkombëtare parashikojnë një rimëkëmbje të ngadalshme të ekonomisë se Shqipërisë si pasojё e krizës në eurozonë dhe recesionit. Banka Botёrore sugjeron, rekomandon që rritja ekonomike të orientohet nga rrritja e eksporteve. A e shihni te realizueshëm këtë rekomandim?

Milva Ekonomi: Banka Boterore prezantoi kohët e fundit raportin e saj për Europën Juglindore, 2012-2013, ku përfshihet edhe Shqipëria. Raporti thotë se “rajoni dhe Shqipëria po lëvizin nga një recesion i dyfishte në një rimëkëmbje të ngadaltë dhe të brishtë. Ajo do të jetë e ngadalshme dhe rritja ekonomike për rajonin dhe Shqipërinë do të jetë e ulët në dy vitet e ardhshme. Huatë e këqia, rimëkëmbja e ngadaltë e kredisë, tkurrja e sektorit privat do të vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim negativ ndaj kërkesës së brendshme”. Për të evituar recesionin duhet nje rritje ekonomike e orientuar nga eksporti, në mënyre që të shtohet kërkesa konsumatore dhe me konsumatorë të huaj. Mendoj që eksporti duhet të jetë sa më i shumëllojshëm dhe mallrat/shërbimet, që do të eksportohen, të jenë produkte edhe më të sofistikuara. Vendet e pasura nuk dallohen se eksportojnë shumë për kapital, por dallohen se eksportojnë shumëllojshmëri produktesh për kapital. Gjithashtu duhen konsideruar masa serioze në konsolidim fiskal, vënie rregulli tek financat publike për të tërhequr investitorët e huaj. Investitorët e huaj në përgjithësi e perceptojnë si një rrezik për ekonominë, borxhin e lartë publik.

DW: Si mund të amortizojë qeveria e re Rama mundёsitё tepёr tё limituara financiare, që ajo gjen nё shtator, kur do tё fillojö qeverisjen e vendit? Banka Botёrore deklaroi kohёt e fundit se qeverisё Rama “i duhet tё bёjё shumё pёr tё pёrshpejtuar rritjen ekonomike, kur ka një hapёsirё fiskale shumё tё vogёl dhe mungesë stimujsh fiskalë?

Milva Ekonomi: Mendoj që ka ardhur koha për një strategji realiste, që do të mbështesë rritjen ekonomike dhe do të vendosë në baza të shëndosha regjimin fiskal ne vend. Ky borxh i lartë publik, i brendshëm dhe i jashtëm, doemos kërkon një sistemim për të mos u bërë faktor pengues në thithjen e investimeve të huaja. Rivendosja e një regjimi fiskal të programuar së bashku me FMN dhe monitorimi i vazhdueshëm i tij janë faktorë të rëndësishëm për nxitjen e reformave, që kanë në qendër rritjen e prodhimit. Qeverisë së re do t'i bjerë barra financiare e pagesave të papaguara të sektorit privat akumuluar gjatë 4 viteve të kaluara. Në të tilla kushte mrekullitë nuk mund të ndodhin. Ndaj të gjitha palët duhet të kontribuojnë. Qeveria e re duhet të punojë fort, po kështu administrata lokale, bizneset, qytetarët dhe të gjithë duhet të japin kontributin e tyre duke paguar taksat, duke ulur informalitetin, duke shmangur korrupsionin. Ulja e korrupsionit, i cili perceptohet të jëtë përkeqësuar në vitet e fundit në Shqipëri, do të jëtë padyshim një sipërmarrje e rëndësishme për axhendën ekonomike të qeverisë së re.