Koment: Antisemitizmi në rritje
22 Shkurt 2019Imazhet e sulmit ndaj Alain Finkielkraut të shtunën e kaluar (16.02.) në rrugët e Parisit tregojnë të gjitha simptomat tipike të dhunës së një turme kundër hebrejve në rrugët e Europës, ashtu siç e njohim nga vitet 1930 dhe 1940. Imazhi i një burri të moshuar me gjyslykë, që rrethohet nga një grup manifestuesish të uniformuar, është një ndër çastet më shokuese, që ka nxjerrë në pah valën aktualisht në rritje të antisemitizmit në të dyja anët e Atlantikut. Megjithatë, ky imazh i nacionalizmit në rritje, që pas fushatës së vet kundër migrantëve tani sërish i drejtohet një objekti të vetin të urrejtjes tradicionale, nuk të habit.
Ngjarja në Paris radhitet në një serial të madh horrori, duke nisur që nga deklarimi i kreut të grupit parlamentar të AfD në Bundestag, se Holokausti është vetëm një "glasë mize" në historinë gjermane, për të vazhduar me marshimin e kreut të shtetit në Poloni me rastin e 100 vjetorit të pavarësië që u karakterizua prej grupimeve neonaziste, sulmet e qeverisë hungareze kundër hebrenjve dhe institucioneve të tyre, rrethimit të bashkësisë hebraike prej neonazistëve në Umea të Suedisë, e deri tek justifikimi i Donald Trumpit për demonstratat antisemitiste të radikalëve të djathtë në Charlottesville e natyrisht edhe masakra në Pittsburgh.
Ringjallja e komplotit botëror herbre
Ai që tani befasohet, me sa duket nuk ka qenë i vëmendshëm për një kohë të gjatë. Ndërsa shpërthimet sporadike të antisemitizmit islamik kanë çuar në një numër të pafund studimesh dhe anketimesh për qëndrimin e myslimanëve ndaj hebrenjve, populistët amerikanë dhe europianë në propagandën e tyre i referohen teoristë së vjetër të komplotit botëror hebre: Se për emigracionin e myslimanëve fajin e kanë hebrenjtë!.
Nga Uashingtoni e deri në Budapest është nxjerrë nga sëndukët e pluhurosur dhe është rizbuluar Opus Magnusi i antisemitizmit: E gjithë përndjekja e hebrejve në gjysmën e parë të shekullit të 20-të bazohej në gjoja "protokollet e të urtit Sion" - që nga progromat në Rusi e deri tek vrasjet masive në kampet nacionalsocialiste të shfarosjes. Tani legjenda e një komploti ndërkombëtar të hebrejve është rikthyer, e cila gjoja duhet të ketë të njëjtat objektiva të vjetra: nxitjen e luftërave ekonomike, skllavërimin e njeriut të thjeshtë, shkatërrimin e vlerave kristiane dhe asgjësimin e identitetit të kombeve! Viktor Orban, Nigel Farage, aleatët e Marine Le Pen, Donald Trump dhe senatorë të ndryshëm republikanë, anëtarë të partisë gjermane AfD dhe të demokratëve suedezë i kanë veshur një petkt të ri gjoja kërcënimit hebraik. E janë pikërisht të njëjtat akuza, me të cilat u përball në Paris Alain Finkielkraut: "Franca na përket neve - dhe jo ty, ti çifut tradhëtar!"
Por nuk është fjala vetëm për turmën në rrugë. Kur foli për George Soros, eurodeputeti britanik dhe ish-kryetari i UKIP Nigel Farage përdori pothuajse të njëjtat fjalë si Henry Ford. Fabrikanti i sukseshëm i automobilëve në vitet 1920 dhe 1922 botoi një libër me disa volume, në shumë gjuhë: "Hebreu ndërkombëtar - problemi më emergjent i botës". Sot sipas Farage, investitori hebre nga SHBA-ja, Soros "paraqet rrezikun më të madh për të gjithë botën perëndimore". Paralajmërimi për kërcënimin nga hebreu ndërkombëtar u dëgjua qartazi.
Protokollet e të urtëve nga Brukseli
Qysh në vitet e kaluara asnjë fushatë tjetër antisemitiste nuk ka qenë me objektiva kaq evidente sa ajo e Viktor Orbanit kundër hebreut me origjinë hungareze George Soros. Por tani në fushatën për zgjedhjet europiane partia e Orbanit "Fidesz" shkon edhe më tej: Orban jo vetëm u bën thirrje zgjedhësve, që t'i japin një mandat partisë së tij dhe që ata ta mbrojnë Hungarinë prej kërcënimit hebre. Por madje tani partia e tij sulmon edhe atë që e paraqet si instrumentin e sundimit global në Hungari: Komisionin e Jean-Claude Junckerit. Në një pllakatë që të kujton karikaturat famëkeqe ndaj hebrejve nga kohët e shkuara, ngërdheshen Sorosi dhe Junckeri krah njeri-tjetrit. "Ti ke të drejtë të marrësh vesh, se çfarë planifikon Brukseli" është diçitura e kësaj fotografie. Orbani pra ndjek fare hapur një fushatë antisemitiste kundër BE-së, që e akuzon si një instrument të komplotit botëror hebre.
Prej javësh diskutohet nëse "Fidesz" ende duhet pranuar si pjesë e familjes së partive konservatore europiane, ku bën pjesë edhe Jean-Claude Juncker. Por çështja më emergjente është, nëse Hungaria në formën që ka sot vërtetë bën ende pjesë në BE?