1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arabia Saudite duhet të luftojë IS-in

Loay Mudhoon11 Korrik 2016

Pas sulmeve të IS-it monarkëve të Arabisë Saudite nuk u mbetet rrugë tjetër veçse të luftojë IS-in mendon Loay Mudhoon.

Fotografi: picture-alliance/dpa/Saudi Press Agency

Megjithëse xhihadistët e IS-it nuk e kanë marrë ende përgjegjësinë për serinë e sulmeve spektakolare që goditën Arabinë Saudite brenda disa orësh në fund të Ramazanit, është relativisht e sigurt, se rrjeti terrorist që tani vepron mënyrë globale është përgjegjës për këto akte barbare. Tek e fundit sulmet terroriste mbajnë në mënyrë të qartë nënshkrimin e të vetëshpallurit Shteti Islamik.

Që sulme terroriste do të ndodhnin edhe në qendrën e Islamizmit, pritej të paktën nga momenti kur udhëheqja në Riad vendosi të marrë pjesë aktive në luftën e aleancës ndërkombëtare kundër IS. Përveç kësaj të gjithë e dinë se rreth 3.000 shtetas sauditë janë bashkuar me IS-in në Siri dhe Irak. Sipas vlerësimeve rreth një e treta e këtyre xhihadistëve me përvojë lufte janë kthyer në Arabinë Saudite. Kjo të bën të mendosh që milicia terroriste kishte mjaft rekrutë për të ngritur celula atentatorësh.

Sulm ndaj shtëpisë mbretërore saudite

Vitet e fundit, Arabia Saudite është bërë në mënyrë të përsëritur objekt i terrorizmit xhihadist. Megjithatë intensiteti, momenti i pabesë i sulmeve dhe objektet e tyre të përzgjedhura simbolike shënojnë një cilësi të re.

Me sulme ndaj xhamive në afërsi të konsullatës amerikane në Xhida, sulme në qytetin Katif në lindje të monarkisë të banuara kryesisht nga shiitët dhe në Medinë pranë varrit të profetit, xhihadistët sulmuan vende kyçe të shtetit saudit. Milicia terroriste nuk e mban sekret synimin e saj për të përmbytur monarkinë vahabiste në kaos dhe për të marrë pushtetin në vendet e shenjta në Mekë dhe Medinë.

Megjithatë, këto sulme nuk duhet të na krijojnë një përshtypje të gabuar për arritjet e autoriteteve saudite të sigurisë në luftën kundër xhihadistëve të IS-it. Me ndihmën e programeve gjithëpërfshirëse për deradikalizmin dhe rehabilitimin, autoritetet arritën në pesë vitet e fundit që të fitojnë ndikim të madh në ambientet, ku xhihadistët bëjnë rekrutime në këtë vend.

Autoritetet saudite i ndjekin tani me mjaft ashpërsi të gjithë të kthyerit dhe simpatizantët e tyre. Kjo është në fakt tepër e nevojshme, por sigurisht jo e mjaftueshme për ta vënë nën kontroll kërcënimin xhihadist, që është bërë një kërcënim ekzistencial për Arabinë Saudite.

Shtypje e ndikimit të vahabistëve radikalë

Familja mbretërore nuk ka ka praktikisht zgjedhje tjetër përveç se ta luftojë pseudokalifatin me të gjitha mjetet që ka në dispozicion: represive dhe preventive. Mbi të gjitha burri i ri i fortë i Arabisë Saudite zëvendësprinci i kuroros Muhamed bin Salman duhet të minimizojë ndikimin e vahabistëve radikalë për të zbatuar reforma të thella në shtet dhe shoqëri.

Njeriu nuk ka pse të ketë simpati për elitat në pushtet në Arabinë Saudite, një vend ku dënime brutale, mesjetare konsiderohen si normale. Megjithatë në të njëjtën kohë nuk ka asnjë zgjedhje tjetër se sa t'u urojë sundimtarëve në Rijad sukses në betejën e tyre të rëndë kundër luftëtarëve të IS-it që nuk ndalen para asgjëje.

Alternativa do të ishte kolapsi i shtetit saudit. Dhe kjo do të ishte një makth, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Evropën.

Na shkruani mendimin Tuaj për këtë koment. Ne gëzohemi për këtë!