1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Jo më lëshime Greqisë

Barbara Wesel7 Qershor 2015

Sërish bisedimet me qeverinë greke kanë ngecur. Tani partnerët në këto negociata duhet t'i japin fund kësaj loje, mendon Berbara Wesel, sepse kjo sorollatje pa fund po e dëmton më shumë euron dhe Bashkimin Europian.

Griechenland - Alexis Tsipras spricht im Parlament
Fotografi: REUTERS/Alkis Konstantinidis

Ndoshta Angela Merkel do të pendohet që e vuri në dispozicion të gjithë peshën e saj politike për zgjidhjen e krizës së Greqisë. Rreziku është që në këtë sorollatje pa fund për pagesat e tjera të ndihmës mund të dalë e dëmtuar vetë kancelarja gjermane. Sidoqoftë pala tjetër në tavolinën e bisedimeve nuk ndalet të tërheqë nga hunda në arenë si kancelaren ashtu edhe drejtoreshën e FMN-së, Christine Lagarde.

Natën e së mërkurës, Alexis Tsipras deklaroi në Bruksel se nuk duhen patur shqetësime mbi pagesat që duheshin livruar në drejtim të FMN-së. Dhe Lagarde kishte deklaruar se i pret në kohën e duhur 300 milionë eurot nga Athina. Pak orë më vonë situata kishte ndryshuar dhe qeveria greke i shtyu të gjitha pagesat deri në fund të muajit. Kjo ka ndodhur vetëm njëherë me Zambian në vitet 80-të.

Parulla marksiste në vend të zgjidhjeve

Ndërkohë në Athinë fryhet në media propozimi i Merkelit dhe partnerëve në fillim të javës si "luftë e padeklaruar nga kapitalizmi modern" -sipas citimit të ministrit grek të Punës. Mos jemi gjë këtu në kursin e vitit të parë të marksizmit? Një nga zëdhënësit e Syrizas në parlamentin grek lëshoi shigjeta edhe më të mprehta duke e cilësuar kërkesën e kreditorëve "planin më vulgar, më vrasës dhe më të ashpër" që mund të përfytyrohet. Kjo nuk është aspak e vërtetë: BE dhe FMN i kanë bërë shumë lëshime Greqisë!

Vetë Aleksis Tsipras, i cili pas takimit në Bruksel sinjalizoi afrim të mundshëm, ndryshoi qëndrim dhe bën fjalë për kërkesa të papranueshme. Tsipras ndodhet nën presionin masiv të partisë së tij që e refuzon një kompromis me kreditorët. Por BE nuk mund të vazhdojë më të negociojë kështu me kryeministrin: Ai duhet të bëjë të mundur që t'i paraqesë me sukses ujditë e arritura. Një takim i planifikuar në Bruksel u shty.

Koment i Barbara WeselFotografi: DW/Georg Matthes

Tipare psikopatologjike

Kjo sorollatje pa krye po i jep gjithnjë e më shumë negociatave me Greqinë tipare psikopatologjike. Muzika që e shoqëron - propaganda me tone të larta e grekëve po sjell gjithnjë e më shumë konfuzion. Po krijohet imazhi i një populli të varfëruar që po lëngon, i zhveshur nga të drejtat nga kreditorët. Ky është "neokolonializëm" i ri, thuhet, mënyra si po detyrohet Athina drejt katastrofës.

Në këtë dalldi pretendimesh surrealiste dhe krijime mitesh nuk përmendet një gjë: Përgjegjësia e vetë grekëve për ekonominë e tyre dhe buxhetin e shtetit të tyre. Qeveria me qëndrimet e saj u le të kuptojë qytetarëve të saj se pjesa tjetër e Europës është përgjegjëse për sigurimin e jetesës së tyre. Dhe kjo përgjithmonë, sepse të mos harrojmë: Ekonomia greke ka rënë në recesion që nga ngjitja në pushtet e Syrizas. Kjo sepse qeveria ka risjellë gjendjen e pasigurisë politike dhe nuk ka bërë asgjë konkrete, vetëm dhënie intervistash dhe udhëtime nëpër botë.

Në debatet televizive në Gjermani gjen gjithmonë analistë gjermanë mirëkuptues ndaj Greqisë, të cilët apelojnë ndaj solidaritetit për shkak të problemeve sociale dhe emergjencës financiare në vend. Por argumentat e tyre nuk i përgjigjen drejt situatës; Nuk janë kreditorët e këqinj që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje. Greqia vetë është futur në mënyrë të pashpresë në borxhe dhe nuk bëri asgjë për shumë vite për ta rregulluar këtë sistem të dalë jashtë të gjitha balancave. Reforma nuk u bënë, në vend të kësaj Athina gjente zgjidhje sa për t'ia hedhur për momentin, në vend sundoi korrupsioni dhe ekonomia e favoreve.

Zgjidhja nuk duket në horizont

Më e keqja në këtë debat - grindja për 7,2 miliardë eurot nga programi i ndihmës është manovër. Ndërkohë po diskutohet për pagesën e 11 miliardë eurove të tjera për Greqinë, të parashikuara për shpëtimin e bankave. Ndërkohë në vjeshtë duhet një paketë e tretë ndihme me 50 miliardë euro. Po kur të kenë mbaruar edhe këto para? Zgjatjet e afateve nuk sjellin zgjidhje. Nuk po shihet se në një të ardhme të afërt Greqia mund të ndërtojë një ekonomi funksionuese. Së paku jo me këtë qeveri! Kërkesat e Athinës të shoqëruara nga fyerje të vazhdueshme në adresë të kreditorëve nuk do të marrin fund me vite. Zgjidhja e vërtetë është larg.

Grekët po e helmojnë klimën politike në Europë. Ata do e dëmtojnë euron, po qe se kreditorët vazhdojnë ta lejojnë këtë lojë me lëshimet për kriteret e vendosura. Angela Merkel do ta mbajë të bashkuar Europën. Ky është një qëllim për t'u nderuar, por në rastin e Greqisë çmimi mund të jetë shumë i lartë. Kreditorët nuk duhet të lëshojnë pe dhe të paguajnë miliarda pa kërkesa për reforma. Vende të tjera do të ndiqnin shumë shpejt shembullin e Greqisë, dhe ky do të ishte vërtet fundi i euros. Nuk ka kuptim të betohesh se Greqia duhet të mbetet patjetër në eurozonë. Në fund mund të jetë më keq t'i kesh grekët në eurozonë se sa t'u mundësosh daljen. Ende ka kohë për të shkelur frenat dhe të kryhet një "grexit" i kontrolluar- dalja jashtë e eurozonës. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë se sa ta çosh vendin në një kaos politik, me falimentim, zgjedhje të parakohshme dhe një të ardhme të pasigurtë.