Evropa pa përgjigje ndaj skandalit të NSA-së.
21 Shtator 2013Hiç më pak se sa dijeni absolute duket se synon të arrijë shërbimi i fshehtë amerikan NSA. Thjesht sepse mundësitë teknike e bëjnë shumë të mundshëm arritjen e këtij objektivi.
Në mbarë botën gjithnjë e më shumë njerëz rrethohen nga aparatura të lidhura me internetin, që lënë gjithnjë e më shumë gjurmë digjitale. Aoa analizohen gjithnjë e më mirë nga kompjuter gjithnjë e më të fuqishëm me algoritme gjithnjë e më të sofistikuar. Amazon i njeh librat e preferuar të klientëve të vet dhe e di se çfarë muzike dëgjojnë. Google e di se çfarë temash u interesojnë njerëzve. Facebook-u e njeh ambientin tuaj social.
Kompanitë e kartave të kreditit e njohin prirjen tuaj të konsumit. Metadatat e komunikimit zbulojnë se më kë flet një person dhe ku gjendet ai. Të gjitha këto informacione së bashku japin profile të sakta: qytetarin transparent.
Pushteti thuhet se të korrupton. Pushteti absolut të korrupton absolutisht.
Prandaj demokracia jeton edhe nga kufizimi i pushtetit: nga transparenca, kontrolli dhe institucionet e pavarura. Në rastin e NSA ky kontroll duket se ka dështuar. Gjykata sekrete autorizojnë punonjës të shërbimeve sekrete të analizojnë me programe sekrete të dhënat e mbledhura. Ne jetojmë në një botë të kthyer me kokë poshtë. Në të duket se kanë të drejtë paranojakët dhe ata, që u besojnë teorive të konspiracionit.
Nëndetëse me pajisje të posaçme lexojnë të dhënat e kabllove me fibër optike nga fundet e deteve. Hard- dhe software-t e koncerneve amerikane të teknologjisë informative, dominues të tregut botëror, janë plot deriçka, që ua lehtësojnë hyrjen hajdutëve të të dhënave. Po madje edhe programet e njohura të kodimit janë të prekur nga përpjekjet për të spiunuar. Fakti që edhe Kombet e Bashkuara spiunohen kundër garancive ndërkombëtare, regjistrohet me një ngritje supesh. Edhe që ambasadat e vendeve mike europiane përgjohen. Me luftën shumë të përmendur kundër terrorizmit kjo nuk ka të bëjë aspak.
Qeveritë evropiane deri tani kanë reaguar me një rezervim të dukshëm. Edhe për arsye se shërbimet sekrete të disa shteteve bashkëpunojnë në spiunimin dixhital. Eshtë një klimë e mosbërjes zë. Nga ana tjetër shumë qeveri evropiane nuk përtuan, t'ia mohonin avionit të presidentit bolivian Morales të drejtat e e fluturimit, për të ndihmuar SHBA në gjuetinë ndaj nxjerrësit të sekretit Edward Snowden. Kjo sjellje është e turpshme. Snowden meritonte mbështetje dhe që t'i ofrohej azil politik.
Kritika më e fortë ndaj projektit monstruoz të përgjimit total digjital vjen nga Brukseli. Në fakt përgjigja për imponimet e shërbimit sekret amerikan duhet të jetë evropiane. Përgjigja duhet të shkojë përtej zemërimit pa efekt dhe theksimit të vlerave evropiane dhe të përmbajë një komponent të politikës industriale: ngritjen e industrisë së vet për teknologjinë e informacionit, që ofron alternativa ndaj pajisjeve të rrjetit nga SHBA, apo nga Kina. Që ofron alternativa tërheqëse dhe mbi të gjitha të sigurta në krahasim me shërbimet e njohura të gjigantëve amerikanë të internetit. Nëse Evropa pozicionohet qartë në anën e mbrojtjes së privatësisë, nga vlerat mund të krijohet një epërsi konkurruese.