Rast për remont për BE
26 Tetor 2017Shumë prej 400.000 banorëve të shtetit xhuxh të Maltës nuk kanë besim te politikanët e tyre, tek policia dhe te përfaqësues të tjerë të shtetit. Këtë e tregoi një manifestim proteste në fundjavë, në kujtim të gazetares investigative të vrarë Daphne Caruana Galizia. Shefi i policisë, kjo ishte njëra nga kërkesat kryesore, duhet të eleminohej. Daphne Caruana Galizia kishte vite që mbronte tezën, se Malta po zhytet në një kënetë korrupsioni dhe bashkëpunëtorësh midis mafias, politikës dhe ekonomisë. "Kudo ka gangsterë", shkruante ajo në blogun e saj.
Se kush qendron pas atentatit me bomba, vazhdon të jetë e paqartë. Jo vetëm qytetarët e Maltës, edhe shumë politikanë të BE nuk kanë më tani besim se do të kemi një sqarim të plotë të vrasjes dhe të sfondeve të saj. Malta nuk është në gjendje ta bëjë vetë këtë, deklaroi edhe kryetari i Grupit Parlamentar të partive konservatore në Parlamentin Evropian, Manfred Weber. Prandaj vendi ka nevojë për një hetim të pavarur nga instanca evropiane. Vërtet që kryeministri i Maltës Joseph Muscat u ka kërkuar ndihmë autoriteteve hetimore nga Holanda, Britania e Madhe dhe SHBA, por kjo nuk është e mjaftueshme për disa në Parlamentin Evropian. Të Gjelbërit kërkojnë doreheqjen e qeverisë socialdemokrate të Muscatit. Ka shumë korrupsion.
Malta - një ishull mafioz?
Që prej pavarësisë nga Britania e Madhe në vitin 1964, në Maltë qeverisin herë konservatorët ose partia laburiste. Të dyja partitë janë të lidhura ngushtë me familjet më të mëdha të Maltës. Policia, drejtësia dhe ekonomia janë të ndërthurrura nga ana tjetër ngushtë përmes lidhjeve partiake dhe familjare. Suksesi ekonomik i Maltës bazohet që prej anëtarësimit në BE tek turizmi, shërbimet financiare, modelet e kursimit të taksave, kompanitë guackë dhe lojërat e fatit në internet. Këtyre do t'u shtohet në të ardhmen edhe sigurimi dhe administrimi i monedhave të internetit si Bitcoin.
Gazetarja e vrarë i ka goditur vazhdimisht strukturat mafioze në vendin e saj, Maltë. Ajo nuk vepronte me ndonjë kujdes të madh me qeverinë e opozitën kur shkruante. Si kryeministri aktual, ashtu edhe udhëheqësi aktual i opozitës e mbuluan me padi mohuese. Në blogun e saj, një nga mediumet më të lexuara në Maltë, ajo nganjëherë shkruante edhe në stil bulevardesk, pa dëshmi të mëdha kundër nepotizmit në republikën ishullore që lulëzon. Por edhe sikur të jetë e vërtetë vetëm një pjesë e kritikave të saj, do të ishte boll e keqe.
Atentati ndaj gazetares, ndaj lirisë së medieve dhe me këtë kundër thelbit të vlerave evropiane, ngre pyetjen nëse Malta është vazhdon të jetë një shtet juridik, i cili është në gjendje ta shërojë veten. Që kësaj pyetjeje t'i japësh përgjigje nga jashtë është e vështirë. Megjithatë, BE duhet të nisë të paktën një dialog formal me qeveritarët në Maltë, për të sqaruar nëse parimet bazë të shtetit juridik do të respektohen në hetime, në ndjekjen penale dhe në mbrojtjen e të drejtave bazë. Veç kësaj, BE duhet të verifikojë urgjentisht se cila është përgjegjësia që mban për modelin e biznesit të Maltës, një parajsë fiskale për mbi 70.000 firma nga e gjithë bota.