1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët e Evropës janë pjesë e zgjidhjes

9 Gusht 2021

Emigrantët shpesh fajësohen për problemet e Evropës. Integrimi i tyre është në interes të Evropës, e kjo kërkon një vizion afatgjatë, mendon Michael Thaidigsmann.

The Day in Pictures | Panama Migranten warten darauf, die Aufnahmestation zu verlassen
Fotografi: Rogelio Figueroa/Getty Images/AFP

Rreth 23 milionë, ose rreth pesë për qind e afro 450 milionë banorëve të Bashkimit Evropian, kanë lindur jashtë kufijve të tij. Kjo është shumë e dukshme në kulturë dhe sport.

Në ekipin anglez të futbollit, i cili arriti në finalen e kampionatit Evropian EURO 2020, disa javë më parë, vetëm tre lojtarë nuk kishin sfond migrimi. E dy refugjatë morën pjesë edhe në Eurovision Song Contest në maj. Një prej tyre ishte këngëtarja e lindur në Kongo, Tusse, e cila përfaqësonte Suedinë.

Histori të dukshme suksesi

Sektori shëndetësor është një shembull tjetër i mirë i rëndësisë së migrantëve. Çfarë do të ishte Evropa sot pa Uğur Şahin dhe Özlem Türeci, çifti që bashkë-themeluan BioNTech, prodhuesin e asaj që është padyshim vaksina më e suksesshme kundër COVID-19? Këta fëmijë të emigrantëve turq erdhën në Gjermani në moshë të re. Pa ata dhe pa shumë mjekë dhe infermierë nga vendet jashtë BE-së, Evropa do të kishte kaluar shumë më keq në krizën Corona.

Ekipi anglez në finalen e Kampionatit Evropian 2020Fotografi: Carl Recine/AP Photo/picture alliance

Pavarësisht historive të tilla të dukshme të suksesit, migracioni mbetet një çështje e diskutueshme në shumicën e vendeve evropiane. Ekzistojnë shqetësime të përhapura se migrantët përbëjnë një kërcënim, se ata janë të papajtueshëm me mënyrën evropiane të jetesës dhe të vështirë për t'u integruar, se ata po uzurpojnë vende pune dhe po bëjnë presion mbi pagat e vendorëve.

Megjithatëmangësitë në integrim nuk janë vetëm një problem i personave që sapo kanë ardhur. Familjet e gjeneratës së dytë dhe të tretë gjithashtu ende luftojnë për të gjetur vendin e tyre në shoqëritë ku jetojnë. Disa nuk e pranojnë vendin e tyre pritës, mbeten vetëm në komunitetet e tyre dhe kështu bëhen mollë sherri. Ndërkohë që kërkesat për një qëndrim më të ashpër kundër emigrantëve po përforcohen nga forcat populiste.

A po i mbyll sytë Evropa?

Njëkohësisht pyetjet vendimtare mbeten pa përgjigje: A mundet Evropa, e cila konsiderohet kështjella e njerëzimit në të gjithë botën, të mbyllë një sy para vuajtjeve të njerëzve nga frika se mos "përmbytet" nga migrantët? A mund të përballojnë njerëzit të mbyllen në kampe dhe në kushte çnjerëzore për një periudhë të gjatë kohore? A e pranon BE -ja largimin me dhunë të azilkërkuesve në kufijtë e saj të jashtëm kur rojet e saj kufitare dhe bregdetare përfshihen në veprime të tilla? Dhe a duhet që Evropa të punojë me regjimet autoritare për të menaxhuar flukset e migrimit?

Chiza aka Tusse nga Kongo përfaqësoi SuedinëFotografi: Henrik Montgomery/TT/picture alliance

Nuk ka përgjigje të lehta.Por për një kohë të gjatë fokusi i vendimmarrësve të BE-së ka qenë vetëm në zvogëlimin e fluksit të emigrantëve të rinj dhe jo në integrimin e atyre që janë tashmë këtu. Nëse kjo do të ketë sukses varet nga migrantët që kanë qasje në trajnime të mira dhe perspektivat për të ardhmen. Kjo mund të tingëllojë e thjeshtë, por në praktikë nuk është kështu. Vendet pritëse shpesh u ofrojnë të sapoardhurve ndihmë fillestare, por nuk arrijnë t'i mbështesin ata në planin afatgjatë.

Integrimi i lihet kryesisht juridiksionit kombëtar, pra shtetit përkatës. Institucionet e BE-së japin rekomandime jo detyruese dhe financojnë projekte, por ato nuk përcaktojnë politikën e integrimit. Kjo mbetet prerogativë e shteteve anëtare që refuzojnë t'i japin Brukselit një mandat më të gjerë. Ato kanë frikë se politika e imigracionit së shpejti mund të diktohet nga eurokratët.

Uğur Şahin dhe Özlem Türeci, çifti që bashkë-themeluan BioNTech, dhe prodhuan vaksinën më të suksesshme kundër COVID-19Fotografi: Abdulhamid Hosbas/AA/picture alliance

Punëtorët e kualifikuar po pakësohen

Por ka një arsye të mirë pse BE-ja duhet të përfshihet më shumë në këtë proces: ekonomia. Njerëzit po plaken - kjo është një arsye për të festuar, natyrisht. Por ky proces ka dhe çmimin e vet. Gjatë dhjetë viteve të fundit, jetëgjatësia mesatare e evropianëve është rritur me 2,7 vjet. Kjo jo vetëm që krijon probleme për pensionet, por edhe për standardin e jetesës. Fuqia e kualifikuar punëtore po zvogëlohet në disa fusha, sektori shëndetësor është vetëm një shembull.

Edukimi dhe trajnimi i emigrantëve, mësimi me me vlerat demokratike do t'i bëjë ata qytetarë të vlerësuar të vendeve të tyre të reja - ose ambasadorë të Evropës në vendet e tyre të origjinës, kur ata (duhet) të kthehen atje. Kjo  padyshim që do të forcojë pozicionin politik dhe ekonomik të Evropës në planin ndërkombëtar.

Përfshirja e emigrantëve në politikë

Shqetësimi i përhapur në popull se emigrantët radikalë, madje edhe terroristët, mund të pushtojnë Evropën duhet të merret seriozisht. Qytetarët e Evropës nuk duan që konfliktet e huaja të importohen këtu dhe liritë e tyre të minohen.

Michael ThaidigsmannFotografi: privat

Prandaj, qëllimi duhet të jetë që emigrantët të marrin pjesë aktive në politikën demokratike të vendeve pritëse. Promovimi i angazhimit të tyre në bazë duhet të jetë pjesë e një politike të mirë integruese dhe po aq e rëndësishme sa integrimi në fushën e futbollit.

Nevojitet një rifokusim: po sikur migrantët të shiheshin jo vetëm si një problem i rëndë, por si pjesë e zgjidhjes se problemeve? Një vizion afatgjatë i integrimit do të ishte në interesin e vetë Evropës.

 

Michael Thaidigsmann është gazetar dhe drejtor ekzekutiv në organizatën joqeveritare EU Watch në Bruksel