Koment: Nuk është zgjidhje pranimi i të gjithë refugjatëve
27 Dhjetor 2019Pikërisht në kohën e Krishtlindjeve do ishte shumë e vështirë ta hidhje poshtë propozimin e Robert Habeck. Heinrich Bedford-Strohm, kreu i Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani e mbështet idenë dhe kujton, se edhe Jezu Krishti pak pas lindjes së tij bashkë me familjen ishte vetë refugjat. Kush nuk preket sadopak nga pamjet e mjerimit në kampet e refugjatëve në Greqi, në një kohë që feston në shtëpinë e tij, nuk ka zemër. Kush shpreson në një situatë të tillë, që BE-ja do të veprojë në unitet, ai duhet të presë gjatë, dhe le dyshimin, se vetëm do ta shtyjë problemin në kohë. E megjithatë Habeck e ka gabim. Sepse pranimi i disa mijëra fëmijëve migrantë do të ishte sinjali i gabuar në shumë kuptime.
Efekt tërheqës
I gabuar sepse në radhë të parë, ky gjest do të mund sillte një valë të re migracioni: Sepse nuk do të mbetej vetëm tek minorenët, për shkaqe humanitare do të silleshin një ditë edhe familjet e tyre. E sapo të bëhet e ditur në vendet origjinë dhe ato tranzit, se ka një shans të ri për të jetuar në Gjermani, shumë vetë do të përpiqeshin të kalonin nga brigjet turke në ishujt grekë. Kampet aty nuk do të boshatiseshin, por do të mbusheshin më shumë. Ashtu si me shpëtimin e emergjencës në Detin Mesdhe krijohet një spirale pa fund: Sapo pranohen refugjatët në Europë, pason një valë e re refugjatësh. I gabuar është propozimi i Habeck, edhe sepse Greqia dhe e gjithë BE çlirohen nga përgjegjësia që kanë, përmes gatishmërisë gjermane për të marrë refugjatë.
Ministri i Zhvillimit, Gerd Müller, thotë nga përvoja konkrete, se ndihmat në kampet afrikane të refugjatëve në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara janë të organizuara më mirë, se në Greqi. Në një kohë që Gjermania dërgon ndihma humanitare në ishujt grekë. Po kaq e rëndësishme është: Gjermania dhe BE mbështesin autoritetet e azilit në Greqi, me qëllim që kërkesat të verifikohen sa më shpejt. Shpesh në debatin për azilantët harrohet: Azil mund dhe lejohet të marrë, vetëm kush i plotëson kriteret për këtë. Këtu bëjnë pjesë lufta, lufta civile në vendin origjinë apo përndjekja personale, dhe jo nevojat ekonomike.
Robert Habeck me sa duket nuk i kushton rëndësi këtij dallimi, kur thotë që të merren të gjithë fëmijët migrantë. Por kjo është pikërisht deri më sot dilema e politikës së refugjatëve të Angela Merkelit, që çoi edhe në rritjen e populizmit të djathtë: Kush nuk ka të drejtë për azil, megjithatë vazhdon të qëndrojë në Gjermani si rregull, sepse dëbimi i tij është shpesh i pamundur. Ndërkohë që populli në Gjermani shtron gjithnjë e më shumë pyetjen, përse i kemi procedurat e azilit, kur rezultati i tyre në fund nuk vendos më për të drejtën e qëndrimit apo qëndrimin në vend?
Mësimi nga viti 2015/2016
Nuk duhet të bëjë më asgjë Gjermania për njerëzit në kampe? Po, duhet. Nëse bëhet fjalë për pranim në raste të veçanta, kjo duhet të jetë e mundur. Por vetëm për ata që kanë një perspektivë qëndrimi, procedurat e të cilëve janë verifikuar. Prioritet duhet të ketë përmirësimi i kushteve të jetesës në vend, aty ku janë refugjatët. Kush mendon, se ky është një qëndrim pa zemër, të na thotë, se si do që ta kufizojë migracionin. Sepse që ai duhet kontrolluar dhe kufizuar, ky është një mësim më se i qartë nga viti 2015/2016. Kush i jep kujtdo azil e shkatërron të drejtën e azilit. Këtë duhet ta kemi të qartë edhe në kohë festash.