Në letër duket në rregull: Pesë fuqitë me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe shtetet e tjera të rëndësishme, ndër ta edhe Gjermania, kanë miratuar një projekt-rezolutë për Sirinë në Nju Jork. Ajo parashikon, që në Damask të ketë një qeveri kalimtare brenda gjashtë muajve, dhe më së voni pas një viti e gjysëm zgjedhje të reja. Fati i presidentit të Sirisë Bashar al-Asad fillimisht u anashkalua. Rusia dhe Irani vazhdojnë të mbështesin regjimin në Damask. Presidenti amerikan Barak Obama e ka bërë të qartë se Asadi mund të jetë partner në bisedime vetëm për një periudhë kalimtare. Mosmarrëveshja, për mënyrën si do të veprohet lidhur me Asadin, vazhdon të mbetet.
Se çfarë vlere ka rezoluta e OKB-së, do të zbulohet në gjysmën e dytë të janarit. Atëherë kryengritësit dhe përfaqësuesit e qeverisë së Asadit do të ulen në një tryezë në Gjenevë. Ata që këto ditë po përpiqen të vrasin njëri-tjetrin, duhet të punojnë në mënyrë konstruktive me njëri-tjetrin, madje edhe të qeverisin së bashku. A mund të arrihet kjo? Skepticizmi është i madh - te të gjitha palët.
Kundërshtarët të përçarë
Edhe për arsye se kundërshtarët e Asadit nuk janë aspak unikë. Forcat laike apo ato islamike kanë ide krejt të ndryshme për të ardhmen e Sirisë. Arabia Saudite bëri para disa ditësh një përpjekje për të bashkuar kryengritësit sunitë - me pak sukses. Një revistë gjermane e quajti aleancën opozitare siriane, të formuar nga Arabia Saudite, "aleancë fantazmë". Nëse as milionat e Riadit nuk e bashkojnë dot për një kohë të shkurtër opozitën siriane, si do të ketë sukses këtu komuniteti ndërkombëtar?
Arabia Saudite dhe Irani mbështesin rezolutën, të paktën zyrtarisht. Por megjithatë shtetet e Riadit dhe Teheranit e vështrojnë njëri-tjetrin me dyshim. Rezoluta e Sirisë pak gjë ka ndryshuar këtu.
Mosmarrëveshje midis SHBA dhe Turqisë
Ndërkohë edhe ndërmjet amerikanëve dhe turqve ka mosmarrëveshje lidhur me çështjen, nëse duhen mbështetur kurdët në veri të Sirisë dhe në ç'masë. Uashingtoni i vlerëson ata si aleatë në luftën kundër terroristëve të "Shtetit Islamik". Administrata Obama dëshiron t'u dërgojë kurdëve armë dhe para. Pikërisht kjo e alarmon Ankaranë. Fundja një pjesë e kurdëve sirianë bashkëpunon me PKK, armikun personal të Ankarasë. Deri tani Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur ta ruajnë "të mbuluar" këtë çështje. Pyetja është: Sa kohë akoma - sidomos që kur edhe kurdët përbëjnë një zë të fuqishëm në formësimin e së ardhmes së Sirisë.
Rreziqet, se projekti "Paqja për Sirinë" mund të dështojë edhe pas projektrezolutës të OKB-së, janë të shumta. Do të ishte një progres i madh, sikur në javët e ardhshme së paku armët të heshtnin. Deri tani nga përçarja e bashkësisë ndërkombëtare ka përfituar vetëm njëri: "Shtetit Islamik".
Ju mund të shprehni mendimin tuaj poshtë këtij komenti. E mirëpresim vlerësimin tuaj!