1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samit i veprimeve miqësore

12 Qershor 2018

Trumpi dhe Kimi mund ta quajnë samitin sukses të madh. Megjithë simbolikën ai shenjon edhe një herë më tepër fillimin e fundit të SHBA si fuqi paqeruajtëse e besueshme.

Donald Trump und Kim Jong Un Singapur
Fotografi: Reuters/K. Lim

Kush do ta kishte konsideruar të mundur këtë: për garanci të gjera sigurie Koreja e Veriut do të heqë dorë nga programi i saj atomik, ajo dëshiron ta hedhë vështrimin përpara dhe të arrijë një ndryshim rrënjësor në marrëdhënie. Kjo tingëllon shumë premtuese dhe ndjenja e lehtësimit është me vend. Në fund të fundit, deri pak muaj më parë gjendja dukej e tillë, sikur ky konflikt që po zgjat pafundësisht do të shkallëzohej, kur Trumpi kërcënoi hapur me asgjësimin e Koresë së Veriut, pas sharjeve reciproke dhe provokimeve të qëllimshme të Kimit para Kombeve të Bashkuara. Dhe janë pikërisht këta të dy që shtrëngojnë duart me optimizëm dhe kërkojnë të bëjnë paqe.

Pikë për Trumpin dhe Kimin

Në këtë mënyrë, Trumpi mund të pozicionohet si strateg i politikës së jashtme - para së gjithash edhe para bashkëkombasve të tij - si një person që sjell më në fund paqe në një konflikt thjesht të pazgjidhshëm. Në javët e fundit ai ka bërë kaq dëme të pamenduara në diplomaci, sa që për bazën e tij atij i duhet një sukses në politikën e jashtme. Në njëfarë mënyre është një paradoks i historisë që është pikërisht Trumpi, me mënyrën e tij të potershme të veprimit që solli lëvizje në këtë konflikt shumë të vjetër dhe që tani mund të jetë ai President amerikan që mund të lidhë në një të ardhme të afërt një marrëveshje paqeje me Korenë e Veriut. As demokratët Clinton dhe Obama, as republikanët Bush i vjetë dhe i ri nuk kanë arritur kaq shumë - këtë duhet t'ia njohësh si meritë këtij Presidenti të paparashikueshëm në veprimet e tij.

Por edhe si fitimtar mund të ndihet edhe Kim Jong Uni: për pinjollin Kim të brezit të tretë kjo marrëveshje është një sukses shumë i madh. Fillimisht ai e sjell veten me bomba në tryezën e negociatave dhe atje Presidenti i SHBA e takon vërtet si i barabartë. Që regjimi i tij të mos përfundonte si regjimet e Saddam Husseinit dhe të Gaddafit, ai ndoqi rrugën e rrezikshme të frikësimit. Njëkohësisht, me shumë aftësi Kimi siguroi mbështetjen e krahëve nga Kina dhe Rusia. Këto dy fuqi qenë në mënyrë të padukshme të pranishme në tryezën e negociatave - si edhe Japonia, e cila përmes SHBA nuk do ta humbasë ndikimin e saj në rajon.


Një hap i parë i madh është bërë, por për besimin duhet kohë dhe pikërisht në marrëveshje të kësaj natyre, puna mund të ngecë aty ku nuk ta merr mendja.Këtë e tregoi së fundi edhe marrëveshja e negociuar në mënyrë të mundimshme me Iranin, të cilën Trumpi e braktisi. Por nëse Gadishulli Korean paqëtohet në plan afatmesëm, pyetja që do të shtrohet me siguri me zë më të lartë do të jetë se si duan të pozicionohen në të ardhmen në Azi SHBA. Por në pikëpamje të sigurisë SHBA e sheh veten si fuqi paqeruajtëse, e cila duhet t'i tregojë vendin Kinës që shfaqet me besim gjithnjë e më të madh në vete.

Lamtumira e një fuqie paqeruajtëse

Trumpi pati mundësi që ta luajë në Singapur këtë rol qendror të fuqisë botërore SHBA edhe njëherë në skenë të hapur. Kur anijet luftarake të SHBA patrullojnë në rrugët detare ende të hapura dhe qëndrojnë në porte shtetesh miqësore me to, mesazhi që dërgojnë është gjithmonë i njëjti: ne u kundërvëmë diçka rivalëve si Kina dhe i mbështesim partnerët tanë.

Alexander Freund

Por dyshimet janë shtuar, nëse SHBA do të dërgonin me të vërtetë, si 65 vjet më parë ushtarë të rinj në luftën e Koresë, për të luftuar në anën tjetër të botës për liri dhe demokraci dhe ndoshta edhe për të vdekur atje. Me motivin e tij "America First", me doganat ndëshkuese dhe me prishjet e një sërë marrëveshjesh, Trumpi nuk ka krijuar patjetër besim në Azi. Kështu që ky samit historik i Singapurit, megjithë simbolikën shenjon edhe një herë më tepër fillimin e fundit të SHBA si police botërore dhe si fuqi paqeruajtëse e besueshme.