1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: taksa për internetin në Hungari - gabim i Orbanit

Karla Engelhard31 Tetor 2014

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dëshiron të aplikojë një taksë unikale për internetin. Kjo taksë rizgjon sërish të qytetarët dëshirën pë rezistëncë dhe nuk i sjell asgjë Orbanit, mendon Karla Engelhard.

Proteste kunder takses per internetin ne Hungari
Fotografi: Reuters/L. Balogh

Nga këndvështrimi i Viktor Orbanit, taksa e tij për internetin është gjeniale - si të thuash një armë për shumë qëllime. Ajo i sjell para qeverisë së tij, borxhi prej 80 përqind të produktit social bruto i së cilës është i lartë në një masë kërcënuese. Ajo u merr para- të paktën teorikisht sipërmarrjeve të mëdha ndërkombëtare të internetit. Veç kësaj, një taksë për internetin, mund të frenonte, si të thuash, pa u vënë re përhapjen e informacioneve të pakontrolluara në internet.

Kur taton kafenë, shampanjën dhe biletat e kinemasë, pse të mos vendosësh tatime për qarkullimin e të dhënave në internet? Aq më tepër kur edhe në Gjermani dhe në SHBA është menduar njëherë po për të njëjtën gjë. Por liria e informacionit ja që nuk është kafe ose shampanjë. Dhe për hungarezët, të cilët nuk janë më financiarisht në gjendje të blejnë bileta kinemaje, shkarkimi i filmave dhe leximi i blogjeve të pavarura është kthyer në mundësinë e vetme për t'i shpëtuar informacionit të njësuar të medieve hungareze të komanduara nga shteti.

Kritikë nga kampi vetjak

Taksa unikale e internetit e Orbanit është një lidhje e shkurtër: vërtet që ai nuk do të mbetet pa dritë nga kjo lidhje, por hungarezëve mendja u ndriçohet më mirë. Qindra mijëra vetë dalin në rrugë, qindra mijëra vetë solidarizohen në rrjetet sociale me këtë taksë për internetin. Të paktën në internet protesta ka shumë mbështetës se partia konservatore e djathtë Fidesz. Edhe nga kampi i tij Orbani korr kritikë të papritur. Mbështetës të Fideszit thonë publikisht se kanë turp që janë mbështetës të Fideszit. Orbani i injoroi të gjitha këto dhe Ministria e tij e Ekonomisë deklaroi me seriozitetin më të madh: taksë interneti as nuk ekziston, kjo është një taksë e posaçme. Pra perandori nuk është fare lakuriq, vetëm se ai nuk mban të veshura rroba. Ofruesit e prekur të internetit, presin që pas zbritjes së shpenzimeve administrative, nga milionat që priten prej taksës nuk do të mbeten shumë para.

Karla Engelhard, ARDFotografi: picture-alliance/dpa/H. Galuschka

Shumica për vlerat evropiane

Kritika e menjëhershme nga Brukseli kundër politikës së Orbanit thuajse është kthyer në ritual, megjithatë ajo i ndihmon demonstruesit. Sepse shumica ndihet e lidhur me vlerat evropiane, si liria e mendimit, liria e shtypit dhe liria e informimit. Në parlament, partia Fidesz e Orbanit, me shumicën e saj prej dy të tretave do të jetë në gjendje ta kalojë pa probleme taksën. Nëse do të jetë në gjendje ta zbatojë me të vërtetë, kjo mbetet e diskutueshme.