1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

MV: Komision historik në një mision shumë të vështirë

28 Gusht 2024

Puna e Komisionit historik mes Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë është kritikuar shpesh, sidomos nga pala bullgare. Realisht puna e Komisionit po ecën shumë ngadalë. Ende në Komision flitet për periudhën e mesjetës

Kryeministri Hristijan Mickoski
Kryeministri Hristijan Mickoski Fotografi: Government of North Macedonia

Njoftimi i sotëm i kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski se në të ardhmen do të ketë ndryshime në Komisionin e Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dheBullgarisë, ka shkaktuar reagime të shumta në Bullgari. Në fokus është deklarata e kryeministrit se Komisioni nuk i ka përmbushur pritjet dhe nuk ka qenë mbrojtës i interesave kombëtare të popullit maqedonas.

"Mickoski do ta zhvlerësojë plotësisht Komisionin historik me Bullgarinë”, thuhet në titullin e portalit Mediapool. "Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE kanë pasur një fushatë të fuqishme antibullgare, ndërsa tani duan ta ndryshojnë Komisionin (...) Në muajt e fundit, Komisioni ka ndërprerë mbledhjet, por edhe më parë ka pasur shumë pak përparim”. Puna e Komisionit mbetet e lidhur ngushtë me situatën politike në të dy vendet”, shkruan portali.

Mediapool komentoi se "Mickoski është në rrugën e bllokimit të marrëdhënieve me Bullgarinë dhe në rrugën e bllokimit të integrimit evropian të vendit të tij, pasi më herët ai refuzoi të hyjë në bisedime me qeverinë zyrtare të Bullgarisë dhe deklaroi se do të presë një qeveri të re atje".

ShkupiFotografi: Petr Stojanovski/DW

Problemet me bullgarët në MV

"VMRO-DPMNE nuk i përkrah ndryshimet kushtetuese që duhet të përfshijnë bullgarët në Kushtetutën e vendit. Është një nga kushtet për të nisur negociatat për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thekson Mediapool.

Ndërsa televizioni bullgar BTV transmeton deklaratën e Gorgiev se ai nuk do të komentojë qëndrimin politik, apo mendimin personal të një politikani. Por fakt është që mandati i anëtarëve do të përfundojë së shpejti.

Ai saktësoi se mandati i tyre skadon më 15 shtator dhe akoma nuk dihet nëse do të vazhdohen. Ndërsa për datën 18 shtator është parashikuar mbledhja e re e Komisionit për Çështje Historike në Shkup, së bashku me historianët bullgarë. Ditët e fundit ambasadori bullgar në Shkup – Angel Angelov u takua me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme. Ai tha se "qeveria e re në Bullgari do të jetë e gatshme për dialog, por jo për negociata të reja”, kujton BTV.

Angelov theksoi se marrëveshjet duhet të fillojnë të zbatohen. "Ne nuk mund të ndryshojmë gjeografinë, do bë mbetemi fqinj. Duhet të kemi komunikim intensiv, përfshirë këtu edhe Komisionin historik”, tha Angelov.

Komentet politike

Puna e Komisionit shpeshherë ka qenë në shënjestër të kritikave nga anëtarët bullgarë, ndërsa ata me përvoja të mëparshme politike kanë dhënë shpesh edhe komente politike, si për shembull bashkëkryetari i Komisionit Angel Dimitrov (më parë diplomat), i cili tha se Maqedonia e Veriut nuk po sillet si kandidate për anëtarësim në BE, ose siç pretendonte shpesh ai - se "ekipi maqedonas në Komisionin po punon nën presionin politik".

Ivan Ilçev, anëtar i Komisionit, në një intervistë për "24 Casa” (24 orë) në mes të gushtit foli jo për punën e Komisionit, por për kushtet e brendshme në MV, për Korridorin 8 dhe për qëndrueshmërinë e shtetit. "Në një mënyrë apo tjetër, MV është një vend tepër i izoluar. Nuk e di nëse bullgarët e dinë se cili është territori i fqinjit tonë jugperëndimor - me 26.000 kilometra katrorë - që është më shumë se katër herë më i vogël se Bullgaria. Ndërsa në pjesën veriperëndimore të vendit popullata dominuese është me origjinë shqiptare, që nuk ndjen asnjë lidhje me qytetarët maqedonas”, thotë Ilçev.

Ivan IlçevFotografi: BGNES

Ai paraqiti edhe dy shembuj për të ilustruar situatën. "Para 3-4 vitesh isha në mbledhjen e rregullt të universiteteve ballkanike që u mbajt në Tetovë – një nga qendrat shqiptare të komunitetit shqiptar. Më pas erdhi rektori i Universitetit të Bukureshtit dhe më pyeti - si është e mundur të valojnë flamujt e një shteti të huaj në MV - në Bukuresht kjo nuk mund të ndodhë kurrë”, thotë Ilçev.

Shembulli i dytë ka të bëjë me takimin e tij me një shitëse të re (Shqiptare) që nuk dinte gjuhën maqedonase. "Mendoj se ka një brez të ri që nuk flet dhe nuk e kupton gjuhën zyrtare të vendit, një brez që nuk ndihet i detyruar ndaj vendit. Nuk e shoh se si mund të mbahet kjo gjendje. Është shumë keq nëse prishet, sepse ka pasoja shumë të rënda gjeostrategjike për ne. Shpresojmë që ata të gjejnë një sistem të tolerancës reciproke”, tha Ilçev.

Ende në mesjetë

Anëtarët maqedonas të Komisionit deri tani nuk kanë bërë deklarata që shkojnë përtej mandatit të tyre. Ata folën ekskluzivisht për punën e Komisionit. Por ata janë në një pozitë të vështrë: Ata u kritikuan se "u dorëzuan" dhe se dëgjoheshin vetëm deklaratat e anëtarëve maqedonas si të "të palëkundur".

Tri mbledhje të Komisionit janë mbajtur këtë vit. Por akoma po flitet për mesjetën, përkatësisht për përmbajtjen e teksteve të historisë për klasën e gjashtë në Bullgari dhe për klasën e shtatë në MV, që trajtojnë atë periudhë. Por as për këtë periudhë nuk ka përparime në tekstet shkollore. Deri më tani janë miratuar vetëm rekomandimet për tekstet e historisë për periudhën antike, të cilat i referohen teksteve shkollore për klasën e pestë në Bullgari dhe për klasën e gjashtë në MV.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë