1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Europian hap procedurë kundër Gjermanisë

9 Qershor 2021

Në grindjen për një vendim kushtetues gjerman në lidhje me Bankën Qendore Europiane, Komisioni Europian planifikon të hapë procedurë kundër Gjermanisë për shkelje të së drejtës së BE-së.

Deutschland Corona | Euro Symbol am Willy Brandt Platz Frankfurt
Fotografi: Imago-Images/J. Huebner

Komisioni Europian ka vendosur të mërkurën (09.06) të hapë procedurë kundër Gjermanisë për shkelje të së drejtës së BE. Grindja lidhet me një vendim kushtetues gjerman mbi Bankën Qendrore Europiane.

Para një viti Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë në një vendim të sajin për Bankën Qendrore Europiane injoroi një vendim të Gjykatës Europiane. Sipas Komisionit Europian, ky është një rast precedent i rrezikshëm, sepse vendimet e instancës më të lartë juridike të BE janë të detyrueshme për të gjitha vendet. Autoriteti i Brukselit kritikoi shkeljen e parimeve themelore të së drejtës europiane. Gjermanisë i jepen dy muaj kohë për të reaguar.

Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe i kishte cilësuar pjesërisht antikushtetuese blerjet miliardëshe të obligacioneve nga ana e Bankës Qendrore Europiane, megjithëse Gjykata Europiane e kishte miratuar këtë. Kritikët panë të vënë në pikëpyetje si prioritetin e së drejtës së BE-së edhe pavarësinë e Bankës Qendrore Europiane. Gjykatësit kushtetues gjermanë nga ana e tyre argumentuan, se BQE me programin që filloi në vitin 2015, e tejkaloi mandatin e saj për politikën financiare, dhe se vendimet e saj nuk janë argumentuar gjerësisht dhe procedura nuk është verifikuar plotësisht.

Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Pas dy muajve kohë për të reaguar, nëse KE nuk është e kënaqur, ajo mund t'i kërkojë edhe njëherë Gjermanisë të ndjekë detyrimet që rrjedhin nga e drejta europiane, nëse kjo nuk bëhet, atëherë Komisioni Europian mund të padisë Gjermaninë para Gjykatës Europiane. Synimi i KE ishte bërë i ditur që një ditë më parë, por nga KE u tha, se "nuk ka interes për një grindje të thelluar" mes Gjykatës Europiane dhe Gjykatës Kushtetuese Gjermane. KE po punon "ngushtë me zyrën e kancelarisë", u tha.

Të Gjelbrit në Bundestag e përshëndetën procedurën. Kjo është rruga e duhur për të sqaruar këtë grindje thanë deputetet, Franziska Brandner dhe Lisa Paus. Sepse Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka vënë në dyshim kompetencën e interpretimit përfundimtar për të drejtën europiane, të cilën e ka Gjykata Europiane". Eurodeputeti liberal, Guy Verhofstadt shikon në këtë grindje edhe një përgjegjësi të përbashkët europiane. "Në këtë procedurë gjyqësore bëhet fjalë për një union fiskal", shkroi ai në twitter. "Për ta çuar përpara BE në botën komplekse të shekullit të 21, si e duan me shumicë të qartë qytetarët, ne kemi nevojë për të."

 

la/ag