1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE rikonfirmon rekomadim pozitiv për Shqipërinë

3 Mars 2020

Komisioni Europian, (KE) rikonfirmoi të hënën ( 2.03.) rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë për antarësim në Bashkimin Europian, ( BE).

EU Symbolbild Bürokratie
Fotografi: picture-alliance/dpa/I. Kjer

Delegacioni i BE në Tiranë, në një njoftim për shtyp (02.03)bën me dije se "KE ka përpiluar një raport të ndërmjetëm, që vendet anëtare të kenë një bazë të re vlerësimi në mbledhjen e Këshillit Europian, në fund të këtij muaji, kur do të diskutohet përsëri hapja e bisedimeve për anëtarësim” thekson njoftimi.

"Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  kanë patur në përgjithësi rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme dhe për këtë arsye rekomandimi i Komisionit për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i vlefshëm. Komisioni mbështet fort rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe shpresoj që shtetet anëtare do të marrin një vendim pozitiv në javët në vazhdim." citon njoftimi Komisionerin për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim,  Olivér Várhelyi.

Raporti i ndërmjetëm kyҫ për vendimin

Vitin e kaluar, në mbledhjen Këshillit Europian, në muajin tetor presidenti francez Emanuel Macron bllokoi procesin e hapjes së negociatave dhe kërkoi nga KE që të përgatiste një dokument të ri për metodologjinë e zgjerimit të BE.

Miratimi nga vendet anëtare i metodologjisë së rë të zgjerimit, të hartuar nga KE dhe miratuar nga vendet anëtare, solli reflektim në qëndrimin e presidentit Macron. Në konferencën e sigurisë në Mynih, ai e lidhi vendimin e Francës për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me raportin e ndërmjetëm, të prezantuar të hënën (02.03)në Bruksel.

" Duhet  të shohim çfarë do të thotë Komisioni për progresin e pritur në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, për reformat me shtetin ligjor dhe në varësi të kësaj, konsideroj se në raport me para-kushtet që kisha vendosur, nëse rezultatet janë pozitive dhe është vendosur besimi, do të bëhet e mundur që të marrim vendim për hapjen e bisedimeve”, citohet të ketë thënë Macron në Mynih.

Rama: Hapja e negociatave është politikë

 

Pas paraqitjes së raportit të ndërmjetëm poziv, kryemnistri i Shqipërisë  Edi Rama theksoi në median sociale, se " Shqipëria i kakryerdetyrat e shtëpisë. " Hapja ose jo e negociatave është politikë dhe iu takon vendeve anëtare të vendosin,” shkruajti ai (02.03)në median sociale.

Rama theksoi se "KE jo vetëm rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, por rikonformon duke e përforcuar rekomandimin e Komisionit paraardhës, vitin e kaluar”.

KE rekomandoi në prill 2018 hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në qershor 2018, Këshilli Europian njohu progresin dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit, në varësi të përparimit të bërë në disa fusha kryesore.

Pas rekomandimeve të mëtejshme pozitive nga Komisioni në maj 2019, Këshilli Europian e shtyu vendimin e tij për në qershor,  më pas në tetor 2019, para se të vendoste t'i kthehej çështjes së zgjerimit para zhvillimit të  Samitit të Zagrebit, në maj të këtij viti.

Këtë muaj Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme pritet të diskutojë të ardhmen e politikës së zgjerimit, bazuar në metodologjinë e rishikuar, si dhe përparimin e bërë nga dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me qëllim hapjen e bisedimeve të pranimit.