1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE ul prognozat për eurozonën

dpa/Bahri Cani3 Maj 2013

Komisioni i BE-së mendon se eurozona do të futet në recesion gjatë vitit 2013 më thellë se sa është menduar. Rimëkëmbja pritet në vitin 2014, pohon Olli Rehn.

Pamje simbolike e eurozonës në krizëFotografi: Fotolia/K.F.L.

Prodhimi kombëtar bruto në 17 vendet e Eurozonës gjatë këtij viti do të shënojë një rënie mesatare prej 0,4 %. Ndërkohë që gjendja ekonomike e kësaj zone do të përmirësohet shumë ngadalë në pjesën e dytë të vitit, kumtoi Komisioneri për monedhën e përbashkët në Bashkimin Evropian, Olli Rehn në Bruksel. Në trendin negativ do të ndikojë në veçanti gjendja në vendet jugore si në Francë, Spanjë apo Itali. Gjendja në këto vende do të influencojë uljen e prognozave të deritanishme. Ekonomia franceze do të shënojë një rënie prej 0,1 %, ndërsa minusi në Spanjë dhe në Itali do të jetë shumë më i lartë - mbi 1 %. Bashkimi Evropian ka pritur në shkurt një rënie për Eurozonën prej më pak se 0,3 %. Prognozat kanë ndryshuar edhe sa i përket Gjermanisë. Autoritetet evropiane janë tani më skeptike dhe thonë se rritja ekonomike në Gjermani do të jetë 0,4 e jo 0,5 %, siç parashikohej më parë.

Rimëkëmbja e ngadalshme dhe papunësia e lartë

Shenjë simbolike rënjes së bursës për shkak të recesionit në eurozonëFotografi: Fotolia/P.Fleet

Autoritetet e BE-së parashikojnë se vitin e ardhshëm presin dy lajme të rëndësishme, por një i mirë dhe një i keq. Lajmi i mirë është që ekonomia do të fillojë të rimëkëmbet dhe do të shënojë një rritje prej 1,2 % në eurozonë. Ndërsa lajmi i keq është se niveli i papunësisë do të mbetet i njëjtë, prej rreth 12 %, gjë që do të ndikojë që as niveli i konsumit privat të mos rritet. "Ne duhet të bëjmë gjërat që janë të domosdoshme për të tejkaluar krizën e papunësisë", theksoi Rehn. Ulja e borxheve në buxhetet e vendeve anëtare duhet të ngadalësohet. Njëkohësisht vendet e Eurozonës duhet të nxisin rritjen ekonomike, përmes reformave të domosdoshme.

Sipas prognozave të BE-së, futja në borxhe të reja me një mesatare prej 2,9 % do të jetë më e ulët se sa norma e lejuar prej 3 %, sa parashikohet me paktin e stabilitetit. Por nëntë nga 17 vendet anëtare të Eurozonës nuk do të mund t'i përmbahen këtij pakti. Franca për shembull do të ketë një deficit prej 3,9 %. Në qoftë se qeveria e presidentit Francois Hollande nuk i ndërmerr masat e duhura, futja në borxhe të reja gjatë vitit 2014 do të jetë madje në nivel prej 4,2 %.