Komplot për destabilizimin e vendit? Sulme në Indi
28 Korrik 2008Në mëngjesin pas serisë së atentateve në qytetin e Indisë Perëndimore Ahmedabad punimet e pastrimit dhe hetimet vazhdojnë me rritëm të lartë, policia ka ngritur bllokada në rrugë dhe kontrollon automjetet. Në të gjithë Indinë janë ashpërsuar masat e kontrollit. Të paktën 45 vetë u vranë në shpërthimet, rreth 100 të plagosur u dërguan në spitalet e qytetit më të rëndësishëm të shtetit federal Gujarat.
Presidentja e shtetit të Indisë, Pratibha Patil e dënoi aktin. Narenda Modi, kryeministri i Gujararatit, u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë: "Dorasit janë armiq të njerëzimit", tha Modi.
Seria e atentateve me lëndë shpërthyese me sa duket ishte e koordinuar mirë, brenda 90 minutash atentatorët ndezën 16 bomba në dy raunde. Shreekumar, shefi i policisë së Ahmedabadit flet për planifikim të detajuar: "Bombat ishin ndërtuar të gjitha nga profesionistë, për këtë e ka vrarë mendjen mirë dikush përpara."
Sipas të dhënave të para, lëndët shpërthyese qenë lidhur me sahatë, shumica e tyre qe vendosur mbi biçikleta. Ato u ndezën në mes të tregjeve me njerëz. Disa bomba shpërthyen edhe para spitaleve, në të cilat po mjekoheshin të plagosur të radhës së parë të shpërthimit. Natën, hetuesit gjetën lëndë të tjera shpërthyese në motocikleta, në autobusë etj.
Në një e-mail të drejtuar autoriteteve dhe stacioneve televizive përgjegjësinë për aktin e mori një grup me emrin "Muxhahedinët Indianë". Me këtë ky grup donte të merrte hak për viktimat e trazirave midis hinduve dhe myslimanëve në Gujarat, gjashtë vjet më parë. I njëjti grup, sipas fjalëve të tij ka kryetar atentatet e Xhajpurit në maj të këtij viti dhe vitin e kaluar në katër qytete të shtetit federal Utar Pradesh. Shri Prakash Jaisval, zëvendësministri i brendshëm i Indisë foli për një komplot për të destabilizuar vendin: "Ne nuk duhet t'i lejojmë askujt që t'i marrë këto atentate shkas për më shumë terror dhe për të krijuar më shumë probleme për njerëzit."
Jo më larg se të premten (25.7), në qytetin e Indisë së Jugut, Bangalore u vranë dy vetë dhe u plagosën gjashtë të tjerë.
India ka përjetuar gjashtë vitet e shkuara një seri atentatesh me bomba. Synime kanë qenë tempuj të hinduve, si edhe xhami e stacione treni. Në Gujarat ka patur disa herë përleshje të përgjakshme; në vitin 2002, ekstremistë myslimanë i vunë flakën një treni me pelegrinë hindu, pas kësaj pasuan masakra në të cilat u vranë rreth 3 mijë vetë, shumica myslimanë.