1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komuniteti katolik në Maqedoni - Marrëdhënie të mira fetare dhe bashkëpunim i sinqertë

13 Prill 2009

Numri i besimtarëve katolikë shqiptarë në Maqedoni është në rënie. Nënkryetari i Komisionit për marrëdhëniet ndërfetare si problem kryesor të komunitetit katolik shqiptar thekson mungesën e priftërinjve.

Kisha e St. Naumit në Ohër të MaqedonisëFotografi: AP

Besimtarët katolikë ceremoninë e procesionit të ringjalljes së Krishtit për festën e Pashkëve e festuan në kishën katolike “ Zemra e Krishtit “ në Shkup. Mesha u zhvillua nën drejtimin e priftit kroat don Antun Ceremotiq. Peshkopi i Shkupit dhe i Eksarkatit Apostolik, Kiro Stojanov, besimtarëve u foli për respektimin e vlerave të përbashkëta dhe respektimin e ndërsjelltë të karakterit multikonfesional të shoqërisë në Maqedoni. Komuniteti katolik në vend e përbëhet kryesisht nga shqipatrët. Nënkryetari i Komisionit për mardhënie ndërfetare Anton Sereqi me keqardhje konstaton se numri i besimtarëve katolikë në Maqedoni është vazhdimisht në rënie. Ai kujton me nostalgji familjet Jaku, Gulia, Sereqi, Mirdita, Seba, Prenku e Gjini. Gjithnjë sipas tij kisha katolike në Shkup ka një traditë shekullore: “ Prej kësaj kishe Zemra e Krishtit në Shkup ka dalë dhe shkoi në botë nëna jonë e madhe Nënë Tereza.”

Mungesë e priftërinjve katolikë shqiptarë

Sipas Sereqit, komuniteti katolik shqiptar në Maqedoni po përjeton periudhën më të vështirë. Kanë mbetur vetëm 250 familje katolike. Mirëpo problemi më i madh i katolikëve shqiptare në Shkup ka të bëjë me mungesën e priftërinjëve dhe me mosmbajtjen e meshës në gjuhën shqipe. Para plot 20 viteve është mbajtur mesha e fundit në gjuhën shqipe. Anton Sereqi: “ Prej atëherë mbetëm disi anash, pa predikues, pa një bari të vërtetë, na merr malli kur shkojmë në Ferizaj, Prizren e Letnicë.”

Atmosfera e Pashkëve katolike në Shkup shumë pak ndjehet dhe kjo më pengon thotë Migena Gorenca: “Unë nuk kam përjetuar ende meshë në gjuhën shqipe në Shkup. Kanë premtuar se do të bëjnë një farë bashkimi së paku shpirtëror - fetar duke na sjellë një prift që do të meshonte në gjuhën shqipe. Në fakt fjalët e Zotit dihet që janë fjalë të Zotit në të gjitha gjuhët edhe në atë latine, por kur i dëgjon ato shqip tingëllojnë më bukur.”

Marrëdhënie të mira fetare në Maqedoni


Sipas Anton Sereqit së shpejti edhe në shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezës në Shkup do të mbahet liturgji në gjuhën shqipe: “ Ne arritëm të ndërtojmë shtëpinë e Nënës Terezës në vendin ku më parë ka qenë kisha katolike Zemra e Krishtit. Është me rëndësi se aty gjendet edhe një kishë e vogël që ne e quajmë kapell ku mbahen mesha dhe liturgji”.

Në cilësinë e nënkryetrit të Komisionit ndërfetare, Anton Sereqi mardhëniet fetare midis kishës ortodokse, katolike dhe bashkësisë islame në Maqedoni i vlerëson: “ Mund të them se është në nivel shumë të lartë dhe një bashkëpunim i sinqertë”. Besimtarët katolikë në Maqedoni shpresojnë se Pashkët e ardhëshme do t'i urojnë në gjuhen shqipe.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora