Konferenca e Berlinit pret që Irani të ulet ne tryezën e bisedimeve
30 Mars 2006Ministrat e jashtëm ishin mbledhur të diskutonin, se ç'do të ndodhë, në se Irani, edhe mbas 30 ditësh që ka caktuar Këshilli i Sigurimit, do të vazhdojë të mos tregojë shenjë kompromisi.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, kërkoi nga Irani sinjale të qarta dhe të besueshme: "Në qoftë se Irani nuk do ta shfrytëzojë këtë shans, por do të vazhdojë rrugën e konfrontimit, duke i injoruar kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, atëherë ai do ta fusë veten në izolim të mëtejshëm," - tha Shtajnmajer mbas takimit në Berlin.
Krahas ministrit gjerman, në konferencë merrnin pjesë edhe shefat e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë, Kinës, si edhe i ngarkuari i lartë i Bashkimit Evropian për çështjet e jashtme dhe të sigurisë.
Ministrat i bënë thirrje njëzëri Iranit të ndalojë programin e tij atomik dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve: "Bashkësia ndërkombëtare është e Bashkuar dhe pret nga Irani të demonstrojë qartë, se aktivitetet e tij janë vetëm për qëllime civile. Kursi i tij duhet të jetë negociimi dhe jo konfrontimi," - kërkoi ministrja amerikane e punëve të jashtme, Kondolisa Rajs. Para konferencës Rajs, pat zhvilluar një bisedë edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku gjithashtu temën kreysore të bisedës e përbënte Irani.
Se si do të vazhdohet më tej, në rast se Irani nuk do t'i përgjigjet thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, kësaj pyetjeje të gazetarëve ministrat iu shmangën. "Tani e ka radhën Irani, për hapat e tjera do të diskutojmë më vonë," tha Shtajmajer.
Dy antarët e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, Kina dhe Rusia, deri tani janë shprehur vetëm për zgjidhje diplomatike dhe paqësore dhe kanë përjashtuar ngritjen e sanksioneve ndaj vendit islamik, me të cilin ato kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta ekonomike.