1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e Mynihut- Siguria dhe Kosova

Anila Shuka9 Shkurt 2008

Në një deklaratë të lëshuar sot në Mynih kandidati republikan për president, John Mccane, shprehet hapur si për zgjerimin e Natos, ashtu edhe për pavarësinë e Kosovës.

Fotografi: AP
"Ka ardhur koha që ta nxjerrim Ballkanin dhe Kosovën së bashku me të nga e kaluara e 90/tës në drejtim të shekullit të 21/të, duke e njohur pavarësinë e saj", shkruan senatori amerikan, McCAne në një deklaratë të lëshuar sot me rastin e Konferencës së Mynihut. Mc Cane është një nga mysafirët e rregullt të kësaj konference, por këtë radhë nuk erdhi për shkak të garës presidenciale në ShBA. Në deklaratën e tij Mc Cane u shpreh edhe për zgjerimin e Natos. "Samiti i Bukureshtit ofron një mundësi të mirë për të ankoruar demokracinë dhe qendrueshmërinë në vendet fqinje, duke pranuar në Aleancën tonë Shqipërinë , Kroacinë dhe Maqedoninë." Mc Cane ka thënë se këta tri aspirantë të Natos e kanë demonstruar me reforma konkrete se janë të gatshëm për ditën e pranimit.

Në një fjalim të mbajtur në hapje të panelit të parë, ministri gjerman i mbrojtjes, Franz Jozef Jung, ishte shprehur optimist per pranimin e vendeve të Çartës së Adriatikut në Nato në samitin e prillit.

"Dera jonë është e hapur për ato vende që duan të angazhohen me ne për të ruajtur vlerat tona të përbashkëta. Kjo është arësyeja se përse unë jam optimist për perspektivën e Kroacisë, por mendoj se mund të ketë një perspektivë edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shpresoj që të mos krijohen probleme për shkak të emrit."

Nisur nga kontradiktat që ekzistojnë mes Greqisë dhe Maqedonisë për shkak të emrit të kësaj të fundit, ekziston frika, që Greqia ta rrefuzojë pranimin e Maqedonisë në Natos.

Në fjalën e tij sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Skefer ditën e shtunë inkurajoi Kroacinë Shqipërinë, Maqedoninë në përpjekjet e tyrë për anëtarësim. Ai shpreson që në samitin e Bukureshtit të jenë pjekur mundësitë për një ftesë për në NATO. Edhe e ardhmja e Serbisë është në strukturat euro-atlnatike theksoi ai. Skefer e mori Ballkanin se shembulli që tregon se NATO mund të arrijë suksese po qe se të gjithë përpiqemi për të njëjtën kauzë.

Nga ana tij presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u bëri thirrje vendeve në rajon që të reagojnë me rezerva ndaj pavarësisë së Kosovës. Mbas një takimi me ministrin gjerman të punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer, Tadiç tha se Serbia do t'i padisë pranë gjykatave përkatëse kombëtare ato vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës: "Ne do ta anullojmë këtë vendim dhe do të ndërmarrim të gjitha hapat legale dhe diplomatike për të ruajtur tërësinë territoriale të vendeve tona. Unë po e përsëris se ne nuk do të bëjmë luftë, por do të përdorim të gjitha instrumentat diplomatike dhe legale, si një demokraci juridike."