191010 UN Artenschutzkonferenz
21 Tetor 2010"Bashkësia ndërkombëtare i kishte vënë vetes si qëllim që deri në vitin 2010 të frenojë humbjen e diversitetit biologjik. Ky objektiv nuk u arrit... Ne e dimë se si është dashur të shkojnë gjërat. Por humbja është gjithnjë e më dramatike. Pyjet natyrore prihen, mungojnë lumenjtë e pastër dhe natyrorë, humbja e specieve në hapësirat jetike fatkeqësisht po vazhdon ende."
Kështu e përmbledh me disa fjalë gjendjen e përgjithshme Dr. Elsa Nickel nga ministria gjermane e Ambientit. Deri tani nuk ke se çfarë të zbukurosh, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e specieve dhe natyrës. Çdo ditë konsumohen burime natyrore që janë të barabarta me volumin e 112 ndërtesave si "Empire State Building". Një e treta e të gjitha llojeve të kafshëve dhe bimëve ndodhet në rrezik, çdo ditë vdesin nga 130 lloje.
Në konferencën ndërkombëtare për biodiversitetin, në Nagojën japoneze shtetet që kanë nënshkruar marrëveshjet e mëhershme duan që të përmbushin përfundimisht premtimet e tyre dhe të frenojnë zhvillimet e fundit, të cilat shkencëtarët i quajnë si zhdukjen më të madhe të llojeve të kafshëve dhe bimëve që prej zhdukjes së dinosaurëve para 65 milionë vjetësh. Sipas drejtorit të kopshtit zoologjik të Frankfurtit dhe anëtar i këshillit të ekspertëve për çështje të ambientit të gjithë e kanë të qartë se:
"Në qoftë se ne nuk vendosim që të sigurojmë një herë e mirë biodiversitetin, atëherë kostot do të jenë shumë të larta. Dhe jo vetëm që gjithçka do të kushtojë më shtrenjtë, por do të jenë shumë gjëra që nuk mund të riparohen me para. Për shembull humbja e tokës pjellore, të cilën e kemi aktualisht në dispozicion nuk mund të kompensohet duke thënë se për atë qëllim do të shpenzojmë disa euro më shumë."
Kërcënohen të gjitha ekosistemet
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për zhdukjen e disa specieve. Sot janë të kërcënuara të gjitha ekosistemet ndërkohë që zhdukja e disa llojeve janë vetëm shenja paralajmëruese. Prandaj zgjidhja nuk mund të jetë vetëm krijimi i zonave të mbrojtura natyrore për të shpëtuar nga zhdukja disa specie eventualisht për disa vite të tjera, thekson drejtori i kopshtit zoologjik të Frankfurtit:
"Mirëpo zonat e mbrojtura natyrisht, që nuk janë zgjidhje në mbrojtjen e biodiversitetit, ato ndoshta mund të jenë boshti, por jo më shumë. Ne kemi nevojë për krejt masa të tjera, ne kemi nevojë për një transformim të plotë të bujqësisë botërore, politikës së peshkimit dhe kjo para së gjithash është një çështje politike. Këto nuk janë çështje të shkencave natyrore."
Tani në Nagoja të Japonisë, vendet pjesëmarrëse në konferencë do të demonstrojnë vullnetin e tyre politik. Deri në përfundim të konferencës pritet të përcaktohen 20 objektivat strategjikë për dekadën e ardhshme. Pritet të shihet se a do të jenë ato më të suksesshme se vendimi për frenimin e zhdukjes së biodiversitetit deri në vitin 2010. Megjithatë duke pasur parasysh samitin e ardhshëm të klimës, që zhvillon punimet në muajin dhjetor në Cancun të Meksikës negociatat në Japoni zhvillohen nën presion të konsiderueshëm.
Konferenca në Nagoja zhvillon punimet deri më 29 tetor.
Autor: Helle Jepessen/Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi